75 Mall Live Search
13:39 / E Enjte, 02 Nëntor 2023 / MSH

Szunyog vlerëson vendimin e MSh-së për furnizim me barna në komunat veriore

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të furnizuar me barna dhe suplemente mjekësore qendrat shëndetësore në veri.

Ai ka thënë se BE-ja e vlerëson këtë vendim, duke shpresuar se ky furnizim të bëhet sa më shpejt, raporton Indeksonline.

“Vlerësojmë miratimin e shpejtë nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ekipi i tij për kërkesën për ofrimin e barnave dhe furnizimeve mjekësore për spitalet dhe qendrat shëndetësore në zonat e komunitetit me shumicë serbe në Kosovë. Shpresoj se do të dorëzohen shpejt”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka mohuar pretendimet se në komunat veriore nuk po lejohet furnizimi me barna dhe pajisje të tjera mjekësore.

“Jemi sinjalizuar se ka pretendime për mungesë të furnizimeve me barna e materiale shëndetësore për qytetarët në komunat në veri të vendit. Një nga pretendimet lidhet dhe me pikat kufitare. Këto pretendime janë të pabaza… Bëjmë me dije se çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga komisioni i donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar”, kishte deklaruar ministria.