“Ta nxjerri gërrklanin dhe të mbys krejt”/ Kërcënohet polici në Pejë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarët të cilët dënohen për shkelje të rregullave të trafikut. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të mërkurën, pak para mesnatës, në rrugën “Bill Clinton”, në Pejë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një 40-vjeçar ka kërcënuar një zyrtar policor pasi i njëjti i shqiptoi një gjobë për parkim ilegal.
Rasti ka ndodhur derisa Policia e Trafikut ishte duke patrulluar për sigurinë në komunikacion, kur në një pjesë të rrugës hasi në një veturë të parkuar në trotuar.
Në momentin që Policia mori dokumentacionin për verifikimin e të dyshuarit, i njëjti ka futur dorën në veturën e Policisë, duke iu drejtuar me fjalët se “me bo me ta ngjit, ta nxjerri gërrklanin dhe të mbys krejt”.
Përballë kësaj situate, Policia ka kërkuar njësi shtesë, me ç’rast i dyshuari është vënë nën kontroll dhe është arrestuar.
Pas shoqërimit në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij prej 48 orësh, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar”.