75 Mall Live Search
13:35 / E Enjte, 11 Qershor 2020 / indeksADMonline

Tahiri: 10 mijë aktivistë të VV-së u financuan me nga 180 euro, u keqpërdorën 10 milionë euro

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se 10 mijë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u financuan me nga 180 euro nga paketa e Qeverisë së rrëzuar të Kurtit.

Tahiri ka thënë se 10 mijë aktivistë të Vetëvendosjes kanë përfituar nga 180 euro nga Qeveria e rrëzuar e Kurtit, shuma e keqpërdorur ka arritur shifrën e 10 milionë eurove.

“Nga ana tjetër duan t’i mbulojnë keqpërdorimet e tyre me ato 50 milionë që janë dhënë gjatë kësaj periudhe, duhet të përkujtoj që në emër kinse të punëtorëve të ri në ndërmarrje të ndryshme publike kjo parti politike i ka financuar afro 10 mijë aktivistë të tyre me pagën prej 180 eurove, pra shuma e keqpërdorur nga Lëvizja Vetëvendosje prej atij 50 milionëshin shkon diku te 10 milionë euro, pra që vjedhje më të madhe në kohë pandemie nuk ka pasur dikund në ndonjë vend të botës”, tha Tahiri.

Tahiri ka thënë se kupton vështirësinë që kanë deputetët e VV-së dhe që nuk po votojnë paketën emergjente të cilin e nisi shefi i tyre dikur kur ishte në pushtet, Albin Kurti.

“I kuptoj vështirësinë që kanë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku deri dje ishin ata që e përkrahën këtë paketë që filloi nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, ndërsa sot me mosvotimin e kësaj pakete duan ta mbulojnë marren e tyre”, tha Tahiri.

Tahiri ka thënë se deputetët e VV-së nuk do ta votojnë këtë pako për ta mbuluar marren e tyre.