11:42 / E Shtunë, 24 Gusht 2019 / indeksADMonline

Tahiri: Askush s’ka vullnet më të flaktë se Veseli për ta pastruar Kosovën nga korrupsioni e krimi

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se PDK-ja është e vendosur më shumë se kurrë më parë për të luftuar krimin e korrupsionin.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri është shprehur se besimi që PDK-ja i dha Veselit për kryeministër, është dëshmi për synimet e mëdha të partisë, shkruan lajmi.net.

Ai tha se askush në skenën politike aktualisht nuk ka kredenciale e vullnet më të flaktë politik se Veseli për ta luftuar korrupsionin.

Postimi i plotë i Tahirit:

Partia Demokratike e Kosovës është më e vendosur se kurrë më parë për t’i ofruar vendit një qeverisje progresive, në luftë të pa kompromis kundër krimit e korrupsionit dhe në partneritet me SHBA-të e Bashkimin Evropian. Mbështetja që Këshilli Drejtues i partisë i dha kandidimit për kryeministër të kryetarit Kadri Veseli, është dëshmi për secilën prej këtyre synimeve të mëdha. Aktualisht, askush në skenën politike vendore nuk ka kredenciale e vullnet politik më të flaktë se zoti Veseli për ta pastruar Kosovën nga keqqeverisja, nga korrupsioni e krimi i organizuar. Kandidimi i tij, është shpresë për të gjithë vendin dhe shpresë për ditët që janë para nesh.