11:18 / E Premte, 08 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Tahiri: Ata që u përfshin në rastin e abuzimit të së miturës, do të marrin dënimin e merituar

Ministri i Drejtësisë, Ablerad Tahiri, në një intervistë për Telegrafin, ka folur rreth rastit të abuzimit seksual ndaj të miturës në Drenas.

Tahiri ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur është shqetësuese dhe alarmante, përderisa ka shtuar se të gjithë të përfshirët në këtë vepër penale duhet të marrin dënimin e merituar.

“Abuzimi i tillë që ka ndodh është shqetësues dhe alarmante. Në momentin që kemi pas pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodh, normalisht që kam takuar prokurorin, ministrin e brendshëm dhe drejtorin e policisë për të diskutuar rreth kësaj ngjarje”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se në raste të tilla kur kemi të përfshirë zyrtarë të shtetit, kjo bëhet edhe më e vështirë.

“Është jashtëzakonisht alarmante kur një qytetarë shkon me kërkua ndihmë te institucioni që duhet ta mbronte dhe aty përjeton abuzim. Çdo kush që ka abuzuar me pozitën e tij zyrtare duhet të dalë para drejtësisë dhe të marrë dënimin e merituar sepse kjo është e papranueshme. Një gjë të tillë e kam kërkuar edhe në takimin e djeshëm, po flasim për një çështje që ka ndodh brenda dy vite, dhe këtu kemi pasur kemi pasur prokuror, polic dhe hetues të involvuar”, u shpreh ministri Tahiri.

Tahiri theksoi se gjatë hetimeve do të shohim nëse ka pasur edhe persona të tjerë të involvuar në këtë rast dhe të gjithë do të marrin dënimin e merituar.

“Nëse shohim se ka pasur njerëz që gjatë hetimeve kanë mbrojtur persona të caktuar edhe ata duhet të dënohen”, tha Tahiri.

Ai shtoi se dëshiron të besojë që policia do të vazhdojë të jetë institucioni që qytetarët besojnë për sigurinë e tyre.