75 Mall Live Search
18:39 / E Mërkurë, 16 Shtator 2020 / indeksADMonline

Tahiri dhe Grubi takohen, bisedojnë për tri çështje të rëndësishme

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka zhvilluar një takim me homologun e tij në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubin.

Tahiri ka thënë se në këtë takim është folur për tri tema, për procesin e integrimit evropian, rrugën 12 kilometërshë në segmentin Shkup- Bllacë, si dhe për pandeminë Covid19.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Sot pata nderin të takoj z. Artan Grubi, Zëvendërskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, mikun tim, një aktivist i kamotshëm i shoqërisë civile, pastaj një aktivist politik me përgjegjësi edhe politike në Kuvend, tani edhe në Qeveri.

Gjatë takimit diskutova tri tema me rëndësi për vendet tona:

E para ka të bëjë me procesin e integrimit evropian dhe pak a shumë, marrja shembull e sekretariatit të Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në BE si një praktikë e mirë edhe për Kosovën;

E dyta, ka të bëjë me rrugën 12-të kilometërshe, pra segmentin Shkup-Bllacë, që për ne është i një rëndësie të veçantë. Mendoj se ky segment do të lidhë fuqishëm dy vendet tona duke forcuar bashkëpunimin ekonomik, dhe

E treta, ka të bëjë me situaten pandemike me të cilën po përballemi. Mendoj se duhet të shihen të gjitha mundësitë, duke ruajtur shëndetin publik, duke ruajtur njëri-tjetrin që të lehtësojmë lëvizjen dhe komunikimin e qytetarëve të shteteve tona dhe të largojmë kërkesat për teste në kufi.

Gjithashtu, në takim kërkova që të ketë një përkujdesje institucionale ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët janë në rastin ‘Kumanova’. Pra të mos cenohen të drejtat dhe liritë e njeriut.

Në fund theksova se jam i bindur që në detyrën e tij të re z. Grubi, do t’i shërbejë vendit në mënyrën më të mirë si Zv/Kryeministër duke shtyrë përpara zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.