Tahiri kërkon koordinim opozitar për çështjen e presidentit
Para nisjes së seancës, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se për çështjen e rizgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente, është e nevojshme një diskutim serioz brenda bllokut opozitar. Ai nënvizoi se opozita ka potencialisht numrat për të propozuar një kandidat, por deri më tani nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm.
I pyetur se a është për rizgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani, ai tha se partitë opozitare duhet të bëjnë një diskutim derisa theksoi se një tentim i tillë ka qenë prej Ramush Haradinajt.
“Ne duhet ta bëjmë një diskutim bukur serioz me partitë që kemi qenë bllok opozitare për shkak se si subjekte politike ne i kemi mbi 40 nënshkrime, që nënkupton teknikisht nënshkrimin mund ta kemi një kandidat. Deri më tani kjo nuk ka ndodh. Ka pas një tentim zoti Haradinaj dhe nga ne si aleancë me pas një diskutim mbi këtë temë. Nuk ka ndodh për shkak se ka qenë konstituimi i Kuvendit. Unë jam i bindur që javët në vijim na duhet të ulemi të shohim se a do të kemi edhe ne një kandidat, apo do të përsëritet skenari i vitit të kaluar, i bllokadës, i kurthave, të cilat na sollën në zgjedhje dhe te rizgjedhja”, tha ai.
Se a ka kërkuar AAK nënshkrime për çështjen e presidentit, ai tha se nuk i takon AAK-së dhe se duhet sfiduar qeveria.
“Jo, nuk kemi kërku. S’kemi kërku se neve as nuk na takon ne jemi partia më e vogël, ne nuk e kemi mshef as sekret qëllimin tonë që zoti Haradinaj me qenë president. Po kjo nuk ka qenë, nuk është diskutu. Nuk ka qenë kjo pikë e parë. Çka duhet të diskutojmë ne është: A do ta sfidojmë këtë shumicë edhe me një kandidat tonin? Apo a do të kalojmë si herën e kalume, pa e sfidu qeverinë, gjithë opozita bashkë? Unë jam me sfidu”, shtoi Tahiri.

