75 Mall Live Search
16:04 / E Mërkurë, 25 Dhjetor 2024 / Z S

Tahiri kritikon thirrjen për kursim të energjisë: Arsyetim, jo zgjidhje

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj thirrjes së Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT dhe KESCO për kursim të energjisë elektrike gjatë orëve të pikut.

Sipas Tahirit, kjo nismë nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme për krizën energjetike, por duket si një përpjekje për të justifikuar dështimet.

”Thirrja e Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT dhe KESCO për kursim gjatë orëve të pikut, të përcaktuara ndërmjet 18:00 dhe 21:00 – 24:00, duket më shumë si një arsyetim sesa një zgjidhje e mirëfilltë.Koha e pikut përkon me nevojën për ngrohje dhe përdorimin e shërbimeve me energji. Orari 18:00 tregon një periudhë kur qytetarët, gjatë gjithë ditës, nuk përdorin pajisjet e tyre në mënyrë intensive, ose lidhet me momentin e përgatitjes së ushqimit. Ndërsa orari 21:00 – 24:00 përputhet me kohën kur temperaturat bien ndjeshëm dhe fillon tarifa e lirë”, ka shkruar Tahiri.

Ai sugjeroi zgjatjen e orareve të tarifës së lirë si një masë më e përshtatshme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Në vend që të zgjasin oraret e tarifës së lirë, qytetarëve u propozohet të shtojnë konsumimin e energjisë gjatë tarifës së shtrenjtë, e cila është tashmë e papërballueshme për shumëkënd. Siç duket, të gjitha masat e propozuara dhe të zbatuara kanë dështuar. Kjo dëshmohet edhe me rritjen e kufirit maksimal të konsumit deri në 1400 MW”.

Ndryshoni oraret, merrni masa të qëndrueshme – qytetarët tashmë përballen me vështirësi ekstreme për ngrohje dhe me çmime të papërballueshme, ka thënë ai./Indeksonline/