Tahiri: Kurrë nuk kanë qenë më të dëmtuara marrëdhëniet me SHBA-të, Kurti i dha pretekst Serbisë për destabilizim

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Kurti i ka dhënë pretekst Serbisë që ta zbatojë planin për destabilizim në Kosovë dhe se gjendja në veri e ka kthyer Kosovën 20 vjet pas.
“Agjenda armiqësore e Serbisë ka qenë e ditur. Qëllimi i Serbisë për ta destabilizuar Kosovën me agjendë ruse, ka qenë i ditur. Ajo që nuk është dashur kurrë Kosova ta bëjë, Albin Kurti, është që mos t’ia japë pretekstin. Vendimi për targat ka qenë preteksti për zbatimin e planit për destabilizim serbo-rus të Kosovës. Këtu është dituria e Albin Kurtit dhe ekipit të vet, të cilët për 1 javë rresht valojnë flamurin patriotik në mënyrën më të pamatur dhe më të paditur, flasin në Facebook se si shkuan policët serbë. Sot jemi kthyer 20 vjet prapa dhe e kemi një sistem të degraduar të sigurisë”, tha ai.
Tahiri ka shtuar se dihet që Vuçiq si me pullë ka gisht në veprimin politik të serbëve në Kosovë, derisa thotë se në këtë ndikoi veprimi fëmijëror i Kurtit.
“Vendim totalisht i pamenduar i Kurtit, i cili fatkeqësisht na ka futur në një agjendë ku çdo ditë ndodhë diçka. Kryeministri ka qenë i informuar për pasojat. Ai sot e di se çka mund të ndodhë nëse hyn me policët e Kosovës. Është i informuar sot për gjakderdhjen potenciale. Loja me institucione shtetërore është sikur loja me shkopinj të çibritit, kur luan me ta i djeg gishtat”, ka deklaruar Tahiri.
Ai për Gazeta Blic ka thënë se kurrë nuk kanë qenë më të dëmtuara marrëdhëniet me SHBA-të dhe se nuk ka ndodhur që të ketë aq kritika ndaj qeverisë e veprimeve të saj nga nivele aq të larta nga zyrtarë të Amerikës.