14:45 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

Tahiri: Letra e Presidentit Trump, akt historik për marrëdhëniet mes dy vendeve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Ekstradimit mes Kosovës dhe SHBA-së.

Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka publikuar në Facebook letrën e nënshkruar nga Trump dhe Sekretari i Shtetiti, Mike Pompeo.

“Nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikan tashmë kam pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i SHBA-ve z. Donald Trump, dhe nga Sekretari i Shtetit, z. Mike Pompeo, përmes së cilës konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit në mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Kosovës dhe është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i pa alternativë dhe lufta kundër krimit do shkojë deri në fund” ka shkruar Tahiri.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, sipas të parit të Drejtësisë në ekzekutivin e vendit, e rangon Kosovën si vend të besueshëm për prijësit e demokracisë liberale.

“Pesha historike e kësaj marrëveshje, me vulën e Presidentit Trump, do të lë gjurmë në historinë e shtet ndërtimit tonë dhe do ta markojë Republikën e Kosovës në rangun e një vendi, në të cilin prijësit e demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit kanë besim të plotë” ka shkruar Tahiri.

Protokolli i instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nënshkruar javën e kaluar nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer në Prishtinë./Indeksonline/