Tahiri: Ministrat e Albin Kurtit po bëjnë jetë luksoze

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë se me deklaratat e fundit kryeministri Kurti po mundohet të largojë vëmendjen prej keqpërdorimeve milionëshe në KEK.
Tahiri këtë kundërpërgjigje e tha pas deklaratës së fundit të kryeministrit, ku ditën e djeshme përmes një videoje kritikoi ish-qeveritarët për qeverisjen e tyre.
“Kjo është një prej mënyrave se si Albin Kurti mundohet ta largojë vëmendjen prej keqpërdorimeve milionëshe në KEK dhe me rezervat shtetërore te vajit e grurit që rezultuan edhe me arrestime”, tha Tahiri.
Sipas Tahirit, Qeveria Kurti është niveli galopant i korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
“Në fakt, në asnjë qeveri nuk ka pasur këso niveli galopant të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve sikur në Qeverinë e Albin Kurtit”, tha Tahiri.
Ndërsa, sa i përket deklartës së kryeministrit që tha se ish-qeveritarët janë kujdesur për jetën e tyre luksoze, Tahiri thotë se një jetë të tillë po bëjnë ministrat e Kurtit.
Ai shton se luksi i tyre kuptohet në shpenzimet që ministrat e kabineti i kryeministrit bëjnë në dreka e darka.
“Jetë luksoze po bëjnë vetëm ministrat e Albin Kurtit që në mënyrë të dyshimtë kanë shtuar pronat pasi erdhën në pushtet, sidomos në lagje luksoze. Po ashtu, shikoni shpenzimet e kabinetit të kryeministrit dhe ministrave në dreka e darka dhe e kuptoni luksin e tyre”, tha Tahiri.
Tutje, Tahiri shton se shifrat e ikjes së dy viteve të fundit janë të frikshëm, madje sipas tij, Albin Kurti me qëllim e ka shtyrë procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Si rrjedhojë, në asnjë qeveri të mëparshme nuk ka pasur zhgënjim dhe ikje kaq masive të qytetarëve sikur në Qeverinë e Albin Kurtit. Aq të frikshme janë shifrat e ikjes së dy viteve para liberalizimit të vizave sa që Albin Kurti qëllimisht e ka shtyrë procesin e regjistrimit të popullsisë vetëm që mos të kuptohet shkalla e vërtetë e dramës njerëzore që ka shkaktuar keqmenaxhimi dhe korrupsioni i qeverisë së tij”, tha Tahiri për GazetaBlic.