75 Mall Live Search
12:41 / E Enjte, 24 Mars 2022 / OSH

Tahiri në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s: Kjo datë s’mund të kuptohet pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, në nisjen e fjalimit të tij në seancën solemne në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 87 vjeçare.

“Shpreh falënderimin dhe mirënjohje për Madeleine Albright për angazhimin dhe përkushtimin e saj që Kosova të jetë vend i çliruar”.

Tahiri më pas tha se dita e sotme shënon përkujtimin e një ngjarjeje historike për vendin dhe kombin tonë, ngjarje për të cilën tha se është produkt i një momenti ekzistencial për popullin e Kosovës.

Tahiri përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, për të cilët tha se kjo datë s’ka kuptim pa ata.

“Në shënjimin e kësaj date historike e kemi të pamundur të astrahojmë të vërtetën historike të kësaj date e cila nuk do të kishte ndodhur dhe s’do të ishte e tillë pa karakterin e fortë dhe të paluhatshëm të atyre që synim të vetëm e kishin çlirimin nga robëria. S’mund të kuptohet kjo datë pa UÇK-në, pa udhëheqësit e saj, si presidentin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimit e shumë të tjerë, protagonistë të UÇK-së, që trasuan themelin e saj, pra këtë themel dhe vazhdimësinë e rrugës për çlirimin e bën mbi amanetin e qindra e të rënëve për liri, si komandantit legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, e shumë bijave të atdheut tonë, dëshmorë e martirë të popullit tonë. Këta emra i bëjnë nder kësaj date. Përmes tyre, kjo datë merr kuptimin e vërtetë historik e të përjetshëm për popullin e Kosovës si dhe për këta protagonistë rruga e çlirimit ka pasur kosto të lartë, dhe kjo kosto po na përcjell vazhdimisht edhe sot e kësaj dite. Kur ata që ishin protagonistë e partnerë të aleancës së vendeve demokratike e liridashëse po përballen me drejtësi për shkak të aludimeve të pabaza e të padrejta ndaj tyre. Nga një frymë që s’është vetëm frymë kundër UÇK-së e kundër Kosovës, por edhe vetë kundër NATO-s, kosto e vërtetë e padrejtë ndaj tyre. Si çlirimtarë do të duhej të ishin sot me ne për të shprehur mirënjohjen ndaj NATO-s dhe botës demokratike në këtë datë të shënuar, ata sot dalin në një seancë për të sfiduar kështu edhe kapitullin e fundit që ta dëshmojnë pastërtinë e luftës çlirimtare sepse misioni i UÇK-së ishte i qartë dhe lufta e saj ishte e pastër”, tha Tahiri.