15:58 / E Hënë, 02 Gusht 2021 / k.v

Tahiri nga PDK ia numëron Kurtit premtimet e fushatës të cilat nuk i inicioi për zbatim në 100 ditë qeverisje

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë debatit parlamentar për 100 ditë qeverisje të Albin Kurtit, i ka numëruar me radhë të gjitha premtimet elektorale të Kurtit e VV që gjatë qevrisjes nuk u diskutuan më.

Ai tha se është hera e parë që nga paslufta që opozita duhet ta ftoj Qeverinë në debat për 100 ditëshin, kjo pasi siç tha Tahiri, vet kryeministri nuk ka pasë guxim e material çka të prezantoj për punën 100 ditëshe në Kuvendin e Kosovës.

“Albin Kurti kishte thënë në fushatë se do të ndërtojë 160 çerdhe. Në 1460 ditë mandat të plotë, i bjen 1 çerdhe për çdo 9 ditë. Në këto 100 ditë, është dashur të nisin 11 prej tyre, por as gur themel s’kemi pa për një të vetme. As plan, as dizajn, as buxhet”, tha Tahiri.

Më tutje ai kujtoi premtimin e Kurtit për themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, për të cilin tha se nuk është bërë ende asnjë hap nga qeveria Kurti 2.

“Kishte premtuar 150 euro për fëmijë në familjet me më pak se 5 mijë euro të hyra vjetore. Asnjë cent në këto 100 ditë. Kishte premtuar ekonomi ku ka më shumë prodhim e më shumë eksport, më shumë punëtorë e me shumë kontrata të punës. Jo veç që s’janë shtua kontratat, por kanë mbete 60 mijë të papunë nga pandemia, e asnjë masë s’është ndërmarrë për ta”, tha Tahiri.

Duke folur për premtimin e Kurtit për depolitizimin e institucioneve, kreu i deputetëve të PDK-së tha se në fakt, në këto 100 ditë, institucionet janë super politizuar, dhe pushteti është shndërruar në ndërmarrje për punësime familjare.

Ai tha se edhe sa i përket premtimit për vetting në drejtësi, prokurori, polici dhe inteligjencë, nuk është bërë asnjë plan, veprim e as ide si me e realizu.

Duke folur për premtimin tjetër të Albin Kurtit i cili kishte thënë se nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, Tahiri tha se vitin që lamë pas, 70 mijë qytetarë të Kosovës llogaritet se e kanë prekur vijën e varfërisë, e në këto 100 ditë të Qeverisë Kurti ai tha se nuk është parë asnjë iniciativë për t’i nxjerrë nga ajo gjendje.

Ai ka përmedur me radhë të gjitha premtimet e Kurtit gjatë fushatës e të cilat tani në qeverisje nuk po ndodhin.

“Ka thënë se do të zbatojë programin e shtesave për fëmijët, me 20 euro në muaj, e për ata më të rritur 10 euro në muaj. Në këto 100 ditë, asnjë cent as për njërën kategori, as për tjetrën. Për nënat e papuna, ka thënë se do të paguajnë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë. Në 6 muajt e fundit, 4200 lindje, përkatësisht aq nëna lehona, pjesa më e madhe e tyre të papunë. Asnjë cent në 100 ditë”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka folur edhe për premtimet e Kurtit për të moshuarit që kishte thënë se do t’i ndërtojnë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbime të përkujdesjes për ta.

“Imagjinoni procedurën, prej caktimit të pronës, dizajni, procedurat e tenderimit, e deri tek ndërtimi merr kogja kohë. Në këto 100 ditë, as një hap”, tha Tahiri, duke theksuar po ashtu premtimin e pambajtur për ndërtimin e banesave të banimit që e kishte premtuar Kurti gjatë fushatës.

“Programi për banim 120×120 dhe 150×150. 4 mijë banesa për 4 mijë familje që paguajnë këste 120 euro dhe 150 euro në muaj. Kjo i bjen që deri në fund të mandatit, afër 3 banesa në ditë të blihen nga familjarët sipas këtij plani. Në 100 ditë, asnjë. As ide se si me u realizua ky plan”, tha ai.

Duke folur për çkapjen e institucioneve siç kishte premtuar Kurti, Tahiri tha se sot, formula e punësimit është të jesh nipi i zëvendëskryeministrit, ministrit, deputetit e anëtarit të partisë tënde.

“Kjo është formula. Jo kompetenca. Jo dija. Por Daja. Kjo është fotografia e qeverisjes tënde për 100 ditë, për ta përmbyllur se fundmi me diçka që po na turpëron edhe më tej, ku edhe agjencitë e pavarura të gazetarëve në Evropë e botë, po të bëjnë thirrje që të mos i sulmosh mediat e lira. Pra, jo vetëm që është përkeqësuar qeverisja, por është rrezikuar edhe vetë demokracia jonë”, tha ai.

Tahiri tha se nga ajo çfarë është parë deri tani, suksesi më i madh i qeverisë Kurti 2 është se i ka mbërri 100 ditë e jo 50 si Kurti 1.

“Natyrisht, edhe kryeministri i ka rritë standardet. Prej një banese 60 metra, ka dalë në një shtëpi 400 metra. Ama veç punë s’kemi pa. Me këto 100 ditë, fatkeqësisht na ke dëshmuar se këto katër vite, do jenë regres për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasojat e të cilit do t’i vuajmë të gjithë”, tha Tahiri.