Tahiri: Pa rrymë, qendrat tregtare në Gjilan janë shndërruar në strehimore për qytetarë

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri, ka thënë se qendrat tregtare në Gjilan janë shndërruar në strehimore për qytetarët.
Sipas Tahirit, kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe temperaturave të ulëta, shkruan IndeksOnline.
“Si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe temperaturave të ulëta, qendrat tregtare në Gjilan janë shndërruar në strehimore për qytetarët”, shkroi Tahiri në Facebook.
Kujtojmë se më herët, KOSTT-i njoftoi se është rikthyer furnizimi me energji në këtë komunë, pas përfundimit të punimeve në asetet 110 kV në nënstacionin Gjilani 1.
“Ndërprerjet e furnizimit ishin të domosdoshme dhe të lidhura ekskluzivisht me këto punime të realizuara nga KEDS, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar një furnizim më të qëndrueshëm dhe efikas për konsumatorët”, deklaroi KOSTT-i në njoftimin e tij.