15:25 / E Martë, 05 Mars 2019 / indeksADMonline

Tahiri: Rregullohet gjykimi në mungesë – Askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur ndryshimet kryesore që Projekt Kodin e Procedurës Penale, që në parim do të dal për votim në seancës e ditës së enjten.

Sipas ministrit Tahiri, 220 nene janë ndryshuar për të rregulluar problemet e hasura në praktikë.


“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fuqizimi i shtetit ligjor, do të arrijë efikasitet më të madh me miratimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale, si akti i fundit që përmbyllë reformën në drejtësinë penale në Republikën e Kosovës. Pas miratimit të Kodit të ri Penal, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë nevojë për të pasur një qasje të re në punën e tyre për ndjekjen e kryerësve të veprave penale, gjë që iu është mundësuar pikërisht përmes ndryshimeve në projekt kodin e procedurës penale, i cili është shtruar për miratim në parim në seancën e ditës së enjte. Janë shqyrtuar 220 nene për të rregulluar problemet e hasura në praktikë si dhe janë shtuar dispozita të reja që do mundësojnë performancë më efikase të organit të akuzës. Ndër të tjera, për herë të parë është rregulluar çështja e gjykimit në mungesë, heqja e dëgjimit të dytë, është paraparë seancë e veçantë për caktimin e dënimit që mundëson ballafaqimin e argumenteve të palëve në procedurë si dhe është prezantuar koncepti i suspendimit të zyrtarëve publik në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion apo abuzim me detyrën zyrtare” ka shkruar Tahiri.


Meqenëse Projekt Kodi ka përmbushur standardet bashkëkohore dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, ministri Tahiri është i bindur se do të marr edhe votat e deputetëve të Kuvendit, duke mundësuar kështu përmbylljen me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë.


“Po ashtu, projekt Kodi i ri është harmonizuar me ligjin përkatës për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, në mënyrë që çdo personi të dënuar për një vepër penale siç e ka përcaktuar ligji, t’i konfiskohet pasuria e fituar nga aktiviteti kriminal. Me politikën e re, një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe zgjerimit të të drejtave për viktimat e krimit. Projekti Kodi i ri i Procedurës Penale ka përmbushur standardet bashkëkohore dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, dhe si i tillë është përgjigje e duhur ndaj nevojave dhe sfidave të hasura ndër vite në sistemin e drejtësisë penale. Jam tejet mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit për miratimin e politikave legjislative që kanë për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe i ftoj që ta miratojnë edhe Projekt Kodin e Procedurës Penale, për ta përmbyllur kështu me sukses reformën më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës” ka përfunduar Tahiri.