75 Mall Live Search
23:31 / E Enjte, 05 Maj 2022 / OSH

Tahiri: Sot fitoi e drejta legjitime e opozitës për të hetuar çdo parregullësi në vend

Sot në Kuvendin e Kosovës pati debat të ashpër mes deputetëve të VV-së dhe të opozitës. Debat i cili rezultoi me themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së formimin e këtij komisioni e ka quajtur si fitore të së drejtës legjitime nga opozita për të hetuar çdo parregullësi në vend.

Tahiri, theksoi se që nga fillimi mosvotimi i këtij nga ana e VV-së, ishte gabim. Ndërkaq, shtoi se strategjia e arrogancës që po e përdor shumica parlamentare është e dëmshme për vendin.

Shkrimi i plotë:

Që nga dita e parë, ishte gabim dhe arrogancë e tepruar e LVV-së, mosvotimi i komisionit hetimor parlamentar për gjendjen energjetike në vend.

Humbëm shumë kohë në një debat të pa nevojshëm, debat i cili për një moment i menjanoi nga debati publik temat më të rëndësishme për vendin – ato që ndërlidhen me jetën e qytetarit.

Kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes Kurti, askund nuk është Ligji i Pagave, e siç po shihet edhe këtë vit nuk do të miratohet.

Jemi në vitin e dytë kur nuk ka asnjë ndihmë konkrete për rimëkëmbje ekonomike. Ka vetëm fjalë e fjalime me rimë.

Jemi në vitin e dytë pa vendim për trustin, pa vendim për subvencione të bizneseve, pa asgjë.

Strategjinë e arrogancës që po e përdor shumica parlamentare është e dëmshme për vendin.

Sot, fitoi e drejta legjitime e opozitës për të hetuar parregullësi, sikurse që u menjanua një debat i cili është dashur të kryhet brenda një dite.

Duhet ta kuptojnë mirë LVV dhe Kryeministri Kurti se demokracia për nga natyra është komplekse por që koha ka dëshmuar se është modeli më i mirë për kombet dhe shoqëritë e lira.