14:09 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / AR

Tahiri: Sovraniteti i shtetit nuk ka qenë asnjëherë më i rrezikuar

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se sovraniteti i shtetit nuk ka qenë asnjëherë më i rrezikuar.

Tahiri ka thënë se situata e krijuar në Kosovë nuk duhet të tejkalohet me qetësi dhe normalitet sepse sovraniteti i shteti është reduktuar në një oborr e një ndërtesë. 

“Nuk duhet ta tejkalojmë me qetësi dhe normalitet faktin që sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr, në një kopsht dhe në një zyre të një kryetari, që kryeministri e quan herë me “K” të madhe e herë me “k” të vogël. Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre, e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik. Për ne është me rëndësi të thuhet se ashtu siç e ka pasur kryeministri Kurti mbështetjen në shumë tema, e ka edhe tash në mbrojtjen e pikave 1 dhe 31 të doganave”, tha mes të tjerash Tahiri. 

Fjalimi i plotë i Tahirit në Kuvend: 

Në seancë adresova një temë, që për të gjithë qytetarët e Kosovës është shqetësim, për të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin është brengë dhe për të gjithë ata që e donë këtë vend dhe këtë histori të këtij kombi, është jo vetëm shqetësim, por edhe përkushtim për të na ndihmuar.

Z. kryeministër, në vlerësimin tonë, mbrojtja e sovranitetit të Kosovës, nuk ka qenë ndonjëherë më rrezik. Për ne dhe qytetarë të Kosovës, anashkalimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, ku thuhet qartë në nenin 11 pika 3 se sovraniteti mbrohet bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, e ka dobësuar Kosovën, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.

Nuk duhet ta tejkalojmë me qetësi dhe normalitet faktin që sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr, në një kopsht dhe në një zyre të një kryetari, që kryeministri e quan herë me “K” të madhe e herë me “k” të vogël. Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre, e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik. Për ne është me rëndësi të thuhet se ashtu siç e ka pasur kryeministri Kurti mbështetjen në shumë tema, e ka edhe tash në mbrojtjen e pikave 1 dhe 31 të doganave. 

E ka mbështetjen e mbrojtjes së sovranitetit dhe vendosjes së njësive speciale policore, elite në pikat që e kanë vendin e vet. Por, nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë, në qoftë se këtë pjesë të rëndësishme të subjektivitetit tonë shtetëror dhe kombëtar e ka reduktuar në një konflikt të hapur mes republikës së Kosovës, që përfaqësohet nga shumica parlamentare dhe vendeve të cilat kanë qenë në krahun tonë në shpalljen, njohjen, anëtarësimin, forcimin e secilës pore të institucioneve të Kosovës, duke u nisur nga qeverisja, sundimi i ligjit, Ushtria e Kosovës, e deri tek anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

I nderuar kryeministër, deputeti Gola foli për konceptin e verbërisë. Për ne, qasjen që e keni marrë, është, jo vetëm verbëri politike dhe një qasje e verbëruar institucionale të një besimi 51%, mirëpo është e rrezikshme për ecjen tutje të forcimit tonë.

Ne e kemi kërkuar mocionin e mosbesimit, për shkak se ndalja e një eksperimenti, i cili na ka futur në një rrugë qorre, e ndihmon drejtimin shtetëror dhe kombëtar të Kosovës. Reflektimi yt sot është mbrojtje e amanetit të atyre që e dhanë jetën, u flijuan, e po ashtu çështje që e forcon edhe pozitën e kryeministrit.

Për ne, legjitimiteti yt politik në vota, ekziston vetëm me 14 shkurt, por jo tani, kur e ke rrezikuar çdo aspekt të shtetit.