75 Mall Live Search
13:37 / E Enjte, 30 Nëntor 2023 / MSH

Tahiri thotë se Raporti i KE-së ishte më i ashpri, tregon rekomandimet e AAK-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vlerësimi i Komisionit Evropian për Kosovën është më i dobëti që një qeveri e ka marrë ndonjëherë.

Një problem ai ka thënë se janë angazhimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi i cili në supe bartë edhe procesin e integrimit.

Tahiri ka vazhduar të shpalosë detaje nga raporti i Komisionit Evropian për këtë vit.

“Ky është raporti më i ashpri, me fjalët më të rrepta që është marrë. Propozojmë që Bislimi ta dorëzojë agjendën e integrimeve te një ministër, sepse ai nuk ka kohë, duke u marrë me detyrën kryesore, dialogun me Serbinë”.

Ai ka parashtruar edhe disa rekomandime të AAK-së, lidhur me qëndrimin e Kosovës karshi BE-së.

Fjala e plotë e Tahirit:
Qeveria e Kosovës e ka pranuar raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian (KE), raport ky i cili është vlerësim që BE-ja ka dhënë për secilin vend të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Kosovën.

Ajo qe duhet të thënë që në nisje të këtij ekspozeu është që vlerësimi që BE-ja ka dhënë për Kosovën për këtë vit për Qeverinë Kurti, është vlerësimi më i dobët, vlerësimi me i ashpër me fjalë më të rrepta që ndonjëherë një Qeveri e Kosovës e ka more. Tani më lejoni të shpjegoj pse: Kur kryeministri Kurti ka ardhur në pushtet ka pasur fjalë të mëdha për integrimin evropian dhe për agjendën evropiane. Madje në krye të kësaj platforme pati vendosur zëvendëskryeministrin e parë z. Besnik Bislimi.

Asokohe kam deklaruar se zëvendëskryeministrit i janë dhënë shumë detyra. Integrimi evropian nuk është sektor e as detyrë, e as aktivitet qeverisës që duhet ta ketë një njeri, një ministër, një zëvendëskryeministër që i ka edhe dhjetë punë tjera. Zëvendëskryeministri i Parë është shefi i agjendës për integrime evropiane, e po ashtu ka detyrën më të rëndë që merret me dialogun dhe me agjenda tjera zhvillimore.

Për rrjedhojë, ky proces i integrimit që në nisje është parë që nuk është prioritet dhe nuk është befasi që sot e kemi këtë raport. Nga një analizë fillestare e më vonë përmbajtjesore që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka bërë me ekipin e vet, shihet se ky vlerësim, si në aspektin kualitativ por edhe në formulimin e fjalëve, tregon për problemet serioze që ka ky shtet.

Fjala progres në këtë raport është përdorur 205 herë. Dhe, këto kualifikime janë të ndara si në vijim:

32 herë theksohet së ka mungesë të progresit; 49 herë theksohet se ka progres të mangët; 59 herë theksohet se ka njëfarë progresi; 42 herë theksohet se është bërë progres; 15 herë në aspekte tjera dhe vetën 8 herë theksohet se ka progres të mirë.

Z. Kryeministër ky raport dhe ky vlerësim ua ka dhënë një diagnozë për integrim, e ajo diagnozë është se në raport me integrimet evropiane është Qeveri e regresit, politizimit e dështimit dhe paaftësisë për të qeverisur. Për këtë raport shqetësues mbetet fakti që disa ligje vitale janë miratuar në procedurë shumë të shpejtë dhe pa e marrë në konsideratë konsensusin prej opozitës. Ligjet të cilat janë ndërtuar dhe janë miratuara në procedurë të shpejtë, një shumicë prej tyre kanë shkuar në Gjykatë Kushtetuese dhe janë shpallë të pavlefshme. Në këtë aspekt, për BE-në, mungesa e vullnetit për konsensus dhe praktikimi i procedurës së përshpejtuar është defekt dhe dështim demokratik.

Kur jemi te dështimi spektakolar në ekonomi dhe në aspekte sociale të kësaj qeverie, i cili po shoqërohet edhe me ikje të madhe të të rinjve, raporti nënvizon performancë të dobët ekonomike, si rezultat i mungesës së investimeve, gjë që shoqërohet me inflacion të lartë dyshifrorë dhe me një mungesë të një qasje që ndërlidh tregun e punës me nevojat ekonomike. Kësaj i shtohet edhe mungesa e ndërtimit të shkathtësive të nevojshme për një ekonomi vibrante në presion dhe në konkurrueshmëri.

Një element me rëndësi është edhe mungesa e fuqizimit të një sistemi të mirëfilltë të shpenzimeve shumëvjeçare. Kjo qeveri do të mbahet mend për akumulimin e mjeteve dhe mos shpenzimin e tyre, që në esencë është mos investimi i tyre në projekte kapitale. Kjo qeveri do të mbahet mend me shpenzueshmërinë dhe investime kapitale më të ulëta, njëkohësisht me rritjen e të hyrave që mund të merren në aspektin pozitiv, të cilat i ka mbajtur për vete për numra, por që nuk i ka vendosur në projekte kapitale.

Ajo që përmendet në raport, lidhet me raportin në mes të qeverisë qendrore dhe asaj komunale. Ne fakt, në këtë aspekt, këtu raporti tregon për përhapjen e efekteve negative, ekonomike edhe në nivel lokal, duke e ditur se në këtë nivel kemi shumë përgjegjësi.

Kur jemi te administrata publike, aty ku kjo qeveri ka shumë merak t’i fus duart që ka arritur në politizim kontaminues. Me ligje që ka miratuar, vlen të theksohet se një vëmendje e madhe i jepet ligjeve që ndërlidhen edhe me administratën publike, por edhe me zyrtarët publikë. Vlerësimi e thotë me një gjuhë të matur, ajo që në e dimë, që kjo qeveri me vendime, masa dhe legjislacion ad hoc, i ka kontribuar përhapjes së kaosit dhe konfuzionit rregullativ, i cili jo që nuk mundëson rekrutimin e bazuar në meritë, nuk lejon sistematizimin meritor në administratën e shtetit. Për pasojë, kemi pasiguri të madhe ligjore në mesin e nëpunësve civilë dhe zyrtarëve publikë. Abuzim dhe politizim të sistemit përmes ushtrimit të përhapur të emërtimit të ushtruesve të detyrës.

Kjo qeveri do të mbahet mend për numrin rekord të zyrtarëve të lartë, sekretarëve permanentë dhe drejtorëve me funksion si ushtrues detyrës. Sipas vlerësimit të Komisionit, kjo ka ndikuar në dobësimin e cilësisë dhe performancës e administratës publike. Po ashtu, theksohet edhe në kritikë që i është bërë ligjit antikushtetues i emërimeve të larta në poste menaxheriale, të cilat kanë pasur për qëllim instalimin e vendimmarrjes partiake. Pra, politizimit të administratës në dëm afatgjatë të agjendës evropiane dhe shtetërore.

Kur kësaj i shtohet fakti, që drejtësia administrative nuk është në nivelin e duhur dhe ka vonuar në trajtimin e rasteve, kjo e lë të ekspozuar dhe në mëshirën e vendimmarrjes arbitrare dhe në kundërshtim me ligjet nga ana e Qeverisë. Kur është fjala për përparimet në ofrimin e shërbimeve përmes sistemit të E-qeverisjes, nga ana e kësaj qeverie sipas vlerësimit, jemi shumë larg ndaj standardeve që i kërkon BE-ja.

Në qoftë se edhe viti që po vjen vazhdon ta ketë këtë qasje ad hoc të konfuzuar, pa një adresë të saktë të integrimit evropian, Kosova do të merr notën edhe më të ulët dhe do të dështojë plotësisht në agjendën e integrimit evropian.

Si subjekt politik rekomandojmë:

  1. Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi, duhet ta dorëzojë agjendën e integrimit evropian te një ministër tjetër, për arsye se nuk ka mundësi dhe nuk ka kohë. Ky njeri detyrën kryesore e ka me dialog, nuk e ka me integrim evropian. Prandaj, duhet t’i kërkojmë llogari kryeministrit Kurti. Nuk mund t’i kërkojmë dikujt që i ka tri detyra.
  2. Duhet të bëhet një plan i veprimit me të gjitha defektet ë kanë dalë dhe t’i kthejmë në një mekanizëm zbatues të qeverisë.
  3. Qeveria duhet të heq dorë nga politizimi, nga kërkesa për të marrë nën kontroll administratën e shtetit.
  4. Të forcohet prezenca e Kosovës në Bruksel e në Bashkimin Evropian.