21:29 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Tahiri tregon nëse dikush nga PDK dërgoi SMS për ta votuar Abrashin

Gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se përgjatë balotazhit, njerëz nga PDK kanë dërguar mesazhe tek qytetarët për të votuar kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi.

E për një gjë të tillë, Indeksonline ka kontaktuar anëtarin e PDK-së, njëherësh ministër, Abelard Tahiri.

Tahiri me këtë rast ka theksuar se nuk e di saktësisht nëse dikush ka shpërndarë mesazhe të tilla, por që PDK haptazi ka përkrahur kandidatin e LDK-së në Prishtinë.

“PDK ka arritur të jetë pjesë e balotazhit në komunën e Prishtinës dhe ne kemi vendos që të mbështesim kandidatin e LDK-së, në këtë rast Arban Abrashi dhe konsiderojmë se ka qenë vendim i drejtë dhe i duhur për të qeverisjen kriminale të Shpend Ahmetit, në komunën e Prishtinës. Për katër vite kemi pas kriminalizim të qeverisjes, korrupsion dhe shumë parregullsi nuk kemi pas zhvillim të qytetit, përditësim të shërbimeve në komunën ku jetojmë, pra asnjë përfitim të jetës së qytetarëve”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij pikërisht për këtë kanë vendosur se është më mirë të përkrahet kandidati i LDK-së, Arban Abrashi.

“Nuk di nëse dikush saktësisht u ka dërguar sms, por ndoshta edhe ka bërë përkrahje të tillë dikush. Nuk e di personalisht”, ka përfunduar Tahiri.

Ndryshe duhet përkujtuar që janë pikërisht votat me kusht dhe ato nga diaspora që po mbajnë të luhatur vendimin për fituesin në komunë e Prishtinës përderisa LDK ka propozuar edhe për rinumërim të votave./Indeksonline/