75 Mall Live Search
17:16 / E Martë, 30 Korrik 2019 / indeksADMonline

Tahiri: Vetëvendosja, subjekt i thyer që po i ik realitetit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri i është përgjigjur ashpër deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiut. Në një postim në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se zyrtarët e Vetëvendosjes po i tradhton verbëria për pushtet dhe po harrojnë se populli vendos kush është në pozitë e kush në opozitë.

“Gjuha dhe retorika shpifëse po i tradhton zyrtarët e Vetëvendosjes, duke iu shpalosur verbërinë për pushtet. Ata duhet ta dinë se është vullneti i popullit ai që cakton kush bëhet ministër e kush mbetet opozitë, madje opozitë për tërë jetën. Dhe vullneti i popullit flet përmes zgjedhjeve. Mesazhi im, ngjashëm si edhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Veseli, është mjaft i qartë: Zgjedhjet e pashmangshme dhe sa më parë që është e mundur”, ka shkruar Tahiri.

Për më shumë, ministri i Drejtësisë ka shkruar se Vetëvendosje është shkapërderdhur, disa duke zgjedhur plazhin e lideri i tyre duke zgjedhur Palestinën për të ikur nga realiteti.

“Pyetja që sot duhet të shtrojnë zyrtarët e Vetëvendosjes është se ku janë deputetët dhe ku është lideri i saj. Si subjekt edhe ashtu i thyer në kohën kur duhet të shpërndahet Kuvendi, disa kanë zgjedhë plazhin, e lideri i tyre shpirtëror ka zgjedhë Palestinën si destinacion për t’i ikur realitetit. I ftoj të njëjtit që të kthehen nga plazhet, në realitetin e hidhur që po i pret. Zgjedhje sa më parë! Për qeveri të re e të përgjegjshme me PDK-në në krye të saj”, ka përfunduar statusin e tij Tahiri.