19:48 / E Shtunë, 30 Maj 2020 / indeksADMonline

Tahiri: Vetëvendosje nuk ka asnjë mundësi ligjore – Komisioni i Venecias pa efekt

Analisti politik, Ramush Tahiri, në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se pas vendimit të mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizjes Vetëvendosje i mbetet vetëm ta respektoj dhe ta zbatoj atë vendim.

Tahiri tha se tanimë ky subjekt politik nuk ka asnjë mundësi ligjore, pasi vendimi i Gjykatës është përfundimtar.

“Vetëvendosja s’ka asnjë mundësi ligjore tashmë, asgjë nuk ka çfarë të bëj. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar, të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjitha partitë politike e institucionet vetëm kanë për të zbatuar.

Pra s’ka asnjë mundësi tjetër dhe është mirë që ka me zbatu pasi që Gjykata Kushtetuese është përgjegjëse përfundimtare në shpjegimin dhe interpretimin e Kushtetutës”, tha ai.

Ndërsa, lidhur me dërgimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias, Tahiri tha se nuk do të ketë asnjë lloj efekti.

Sipas tij, ky komision nuk bën pjesë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.

 “Nuk e di a Qeveria apo Vetëvendosje do ta dërgoj vendimin në Komisionin e Venecias, pasi kryetari i Vetëvendosjes është edhe kryeministër edhe po vepron herë si njëra palë herë si tjera palë.

Në Gjykatë Kushtetuese Kurti është shkuar si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Gjykata vendos a ka të drejtë pala e parë a e dytë a e tretë apo shumica parlamentare, nuk është marrë me Qeverinë e me asnjë vendim të Qeverisë. Letra që ia ka dërguar presidenti Hashim Thaçi i është drejtuar si lider i Vetëvendosjes, jo si kryeministër. Në Komisionin e Venecias ky po dëshiron të shkoj si kryeministër, nuk lidhet njëra me tjetrën dhe nuk kanë të bëjnë.

Edhe vendimi i Vencias, pa e paragjykuar por, nuk bën pjesë në punët e brendshme, e këtu është që nuk po e kupton Kurti dhe të tjerët. Kështu është parimi shumë i thjeshtë a duhet pakica a shumica të formoj Qeverinë. Kudo në botë në republikë parlamentare e formon shumica. Nuk është fituese ajo që ka dal partia e parë por shumica parlamentare. Deputetët e bëjnë Qeverinë, Kuvendi e bën Qeverinë”, tha ai.

Analisti politik, Tahiri për IndeksOnline ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po tenton përmes ankesave dhe protestave të zgjat mandatin e tij.

Tahiri shtoi se protestat nuk munden të ndërrojnë Qeverinë, vetëm ta provokojnë atë.

“Albin Kurti nuk e di në cilësinë e kryeministrit apo të liderit të Vetëvendosjes po dëshiron të fitoj kohë me ankesa, sikur edhe për Gjykatën Kushtetuese, që të zgjas Qeverinë si kryeministër, por qeveria tani është Qeveri e pakicës, Qeveri e shkarkuar. Albin Kurtit asnjë nuk i duhet zgjatja edhe me synimin që me ba protestë pasi protesta nuk e ndërron Qeverinë, potencialisht mundet të provokoj Qeverinë e jo të rrëzoj as jo me vendos Qeveri tjetër. Në qoftëse dikush vjen në pushtet me dhunë atëherë ka vdek demokracia”, tha ai.

Ndryshe, mbrëmë, Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin pro dekretit të presidentit Hashim Thaçi, për kandidimin e Avdullah Hotit si kryeministër i ardhshëm i qeverisë së Kosovës./IndeksOnline/