Takim njëorësh me presidenten, çfarë u diskutua mes Kurtit dhe Osmanit?
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon takimet me krerët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje rreth emrit të presidentit të ri.
Pasditen e djeshme, rreth orës 14:00, ai u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilin diskutoi për tejkalimin e krizës institucionale.
Menjëherë pas këtij takimi, burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Kurti zhvilloi edhe një takim njëorësh me presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Jozyrtarisht, mësohet se në këtë takim janë diskutuar opsionet konkrete për tejkalimin e ngërçit politik, përfshirë koordinimin institucional dhe hapat e fundit para skadimit të afatit kushtetues.
Ndryshe, pas dy ditësh përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Partitë parlamentare ende nuk kanë arritur marrëveshje për të siguruar 80 votat e nevojshme.
5 marsi është dita e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të zgjedhin presidentin. /Indeksonline/

