Takime të vështira të liderëve kosovarë me ndërkombëtarët
Këmbëngulja e kryeministrit Ramush Haradinaj, për të mos hequr eventualisht pezulluar taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, ka bërë që vizitat e ndërkombëtarëve në Kosovë të shpeshtohen, raporton Indeksonline.
Brenda një jave në kryeqytetin kosovar zbarkuan zyrtarë të lartë amerikanë, gjermanë e britanikë.
Në fund të javës së kaluar, në Rezidencën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, nënsekretari për Çështje Politike, David Hale, mblodhi tre liderët kosovarë.
Ai në një takim të mbyllur rreth një orësh, me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, diskutuan për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e rrjedhimisht edhe për taksën.
Ndonëse takimi ishte mjaft diskret, liderët shtetëror zgjodhën rrjetin social Facebook për të shpalosur detajet nga ky takim.
Presidenti Hashim Thaçi tha se Hale e kanë njoftuar se janë të gatshëm për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, nënsekretarit amerikan ia kanë bërë me dije se “status QUO-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”.
“Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, shkroi ndër të tjera Thaçi.
Siguri se nuk do të lejojë rrezikimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Amerikës, zyrtarit të lartë amerikan, Davd Hale i ofroi kryetari i kuvendit, Kadri Veseli.
Sikurse edhe Thaçi, Veseli theksoi se qëllimi i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje me shtetit serb e që rezulton me njohje nga Serbia dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Qytetarët tanë i siguroj se Dialogu do të përfundojë me rezultat të qartë, që i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB, pa cenuar në asnjë mënyrë sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit tonë. Në takim, theksova se qëllimet e Kosovës mund të arrihen vetëm duke ruajtur dhe duke fuqizuar partneritetin e përjetshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Po ashtu, z. Hale i shpreha qëndrimin tim të vendosur që për asnjë arsye nuk do të lejoj rrezikimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve dhe se veprimet tona të ardhshme do të jenë të koordinuara me SHBA-të”.
Për dallim nga presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, në takimin me Hale ‘ngriu këmb’ për vendimin e tij.
Ai ndonëse tha se është gati për dialog me Serbinë, shtoi se në tavolinën e bisedimeve duhet të diskutojnë për të gjitha çështjet e hapura, përfshirë këtu edhe tregtinë e lirë.
“Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës së Dialogut dhe Ligjit. E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Para se të vinte në Kosovë, nënsekretari për Çështje Politike, David Hale, qëndroi në Beograd.
Për dallim nga takimi me liderët kosovarë, që u zhvillua në ambasadën amerikane në Prishtinë, Hale me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq diskutoi në zyrën e këtij të fundit.
Megjithatë, takimi me amerikanin Hale, ishte shumë më ndryshe se ai me dy këshilltarët e kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg.
Përveç se takimet me zyrtarët gjerman u zhvilluan në institucionet e Kosovës, për të liderët shtetëror ishin shumë të rezervuar.
Kryeministri Ramush Haradinaj ishte i vetmi që bëri të ditura çështjet e diskutuara në takim.
Përmes një komunikate për medie, Haradinaj tha se me gjermanët kanë biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend dhe rajon.
“Gjermania është një nga partnerët politik dhe ekonomik të Kosovës, e cila i ka dhënë mbështetje në momente të vështira dhe tani në fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe ofrimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Për këtë u jemi mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj.
Nga takimi me këshilltarët për politikë të jashtme të kancelares Merkel, Haradinaj nuk bëri të ditur nëse kanë biseduar për heqjen apo pezullimin e taksës.
Mirëpo, burime brenda qeverisë bën të ditur se dialogu dhe taksa ishin ndër çështjet e diskutuara.
Pas Kosovës, dy këshilltarët gjerman, Jan Hecker dhe Matthias Leuttenberg, udhëtuan për në Beograd ku u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas mediave serbe, takimi i Vuçiqit me zyrtarët e lartë gjerman zgjati deri pas mesnatës. Sikurse edhe në Kosovë, këshilltarët gjerman por as kreu i shteti të Serbisë nuk shpalosen detaje lidhur me takimin.
Haradinaj sot ka pritur në takim edhe drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore./Indeksonline/