Takimet me Kurtin, Abdixhiku: S’u përmendën emra, i thashë që s’jemi kundër Osmanit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova për takimet që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me zgjedhjen e Presidentit të vendit.
Abdixhiku ka theksuar se ideja ka qenë përpjekja për të arritur një konsensus politik, mirëpo tha se në takimin e parë nuk është përmendur asnjë emër konkret për këtë post.
“Ai më kishte njoftuar se e kishte takuar z.Hamza, z.Hamza më kishte njoftuar se e kishte takuar z.Kurti, isha në dijeni për bisedat e dyanshme dhe më thanë se do të provojnë një konsensus të gjerë, por asnjë emër i përmendur në takimin e parë nuk ishte. Unë ia kam bërë të qartë, përderisa ka konsensus, nuk do të ketë kandidat partiak nga LDK-ja”, tha ai.
Kreu i LDK-së ka përshkruar edhe takimin e dytë me Kurtin, për të cilin tha se nuk ka pasur shumë përmbajtje dhe se emri i Murat Jasharit nuk është diskutuar brenda në takim.
“Takimi i dytë ka qenë shumë i thatë në përmbajtje, i mërzitshëm, i treti ka qenë për kandidat. Në të dytin nuk kishim se çfarë të diskutonim, ngjarja e vetme publike që kishte ndodhur në ato moment ishte refuzimi i Murat Jasharit, por që asnjëherë s’e kishin diskutuar si emër brenda. Jo si kandidaturë, pra të thuhet ‘kjo është kandidatura’, nuk kemi diskutuar formalisht për një emër. Pastaj te i treti është folur për z.Konjufca, konsensual asnjëherë”, tha ai.
Abdixhiku theksoi gjithashtu se qëndrimi i LDK-së ka qenë që të mos ketë vota kundër për presidenten aktuale Vjosa Osmani, por sipas tij, në asnjë moment nuk është vendosur zyrtarisht një emër konkret në tavolinë.
“Unë tani në takimin e tretë kam thënë që nuk kemi vota kundër për Vjosa Osmanin dhe ky ka qenë pozicion i LDK-së, por emër konkret të tavolinë nuk kemi pasë formalisht në asnjë moment”, tha Abdixhiku.

