75 Mall Live Search
16:31 / E Martë, 15 Korrik 2025 / k.v

Takimi Abdixhiku–Prattipati ngjall reagime/ Drekë pune apo sinjal diplomatik në kohë tensioni politik?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Për këtë takim raportoi ekskluzivisht IndeksOnline ku edhe u siguruan pamje.

Takimi, i zhvilluar në një lokal në afërsi të Qeverisë, është konfirmuar tani edhe nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili e cilësoi si një drekë pune dhe një takim të zakonshëm.

Megjithatë, ky takim vjen në një moment politikisht të ndjeshëm në vend,  vetëm pak orë pas dështimit të seancës së 47-të të Kuvendit të Kosovës, në një kohë kur tensionet politike ndërmjet partive janë në rritje dhe procesi i konstituimit të institucioneve vazhdon të ngecë.

Takimi zgjati rreth një orë e gjysmë, çka ka mjaftuar për të nxitur diskutime dhe hamendësime në qarqet politike dhe diplomatike.

Pavarësisht deklaratës së LDK-së, mbetet e paqartë nëse temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në Kuvend, kriza politike apo ndonjë agjendë më e gjerë strategjike./IndeksOnline/