75 Mall Live Search
07:49 / E Shtunë, 16 Gusht 2025 / A

Takimi historik, cila ishte marrëveshja mes Trump-Putin?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ishte “shumë produktiv”, por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit në Alaskë, që zgjati gati 3 orë, Trump tha se me Putinin janë pajtuar për shumë pika, por ka çështje ende për të cilat nuk janë pajtuar.

Sipas presidentit amerikan, ka gjasa të mira që palët të arrijnë në të ardhmen një marrëveshje.

“Kanë mbetur edhe disa pika, disa nuk janë të rëndësishme, por një është më e rëndësishmja”, tha ai pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Para samitit, ai deklaroi se shpresonte të arrihej një armëpushim në Ukrainë.

“Por, ka shumë gjasa që të arrijmë deri te pajtimi. Nuk arritëm, por ka gjasa që ta bëjmë këtë”, shtoi presidenti amerikan.

Putin, në anën tjetër, e cilësoi takimin me Trumpin si “konstruktiv”.

“Rusia është e interesuar që t’i jepet fund krizës ukrainase. Ne shpresojmë që mirëkuptimi që arritëm me presidentin Trump do të hapë rrugë për paqe në Ukrainë”, tha Putin.

Udhëheqësi rus tha po ashtu se pajtohet me Trumpin se siguria e Ukrainës duhet të garantohet.

Ai po ashtu insistoi në adresimin e atyre që i cilësoi si “shkaqe rrënjësore” të konfliktit – që në retorikën e Kremlinit nënkupton t’i jepet fund aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe marrja e hapave për çarmatosjen e ushtrisë ukrainase.

Gjatë konferencës për media, Trump tha se tani do të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqës evropianë, për t’i informuar ata lidhur me samitin në Alaskë.

“Do të zhvilloj disa biseda telefonike dhe do t’i informoj se çfarë ndodhi, por ne patëm një takim shumë produktiv dhe për shumë pika u pajtuam”, tha ai.

Në fund të konferencës, Trump theksoi se beson që do ta takojë Putinin sërish shumë shpejt, dhe lideri rus iu përgjigj në anglisht: “Herën tjetër, në Moskë”.

Pas kësaj, Trump tha: “Mund të përballem me kritika, por e shoh si diçka që mund të ndodhë”.

Daniel Fried, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, njëherësh arkitekt i sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pasi Moska mori nën kontroll Krimenë më 2014, tha pas konferencës në Alaskë se SHBA-ja “duket se nuk ia dorëzoi Ukrainën” Putinit.

“Asnjë marrëveshje për Ukrainën. Putini e teproi me retorikën e ricikluar për shtensionimin e situatës. Fatmirësisht, Trump nuk duket se ia dorëzoi Ukrainën. Por, përparimi që përmendi Trump nuk është i përcaktuar dhe mund të mos ekzistojë fare. Këto përshtypje të para do të ndryshojnë me daljen e më shumë informacioneve”, shkroi ai në X.

Në takimin, që u mbajt në bazën ushtarake Elmendorf mes dy udhëheqësve, morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.

Samiti historik nisi pasi avioni presidencial amerikan “Air Force One” u ul në bazën ushtarake Elmendorf, pranë Ankorixhit, rreth orës 10:20 sipas kohës lokale. Rreth 40 minuta më vonë, mbërriti edhe një aeroplan rus “Ilyushin” me Putinin në bord.

Trump dhe Putin shtrënguan duart dhe ecën krah për krah në pistë, ndërsa gazetarët u drejtuan dy liderëve me pyetje, përfshirë nëse presidenti rus do të ndalonte sulmet ndaj civilëve ose do të pranonte një armëpushim. Nuk ishte e qartë nëse ata i dëgjuan pyetjet.

Në një veprim të papritur, Putini iu bashkua Trumpit në limuzinën presidenciale amerikane, teksa të dy u nisën drejt vendtakimit – një nder i rrallë për një udhëheqës të një shteti rival.

Më pas, dy liderët u ulën së bashku me delegacionet përkatëse në vendin e takimit, dhe në prapavijë shihej një pano ku shkruante “Në kërkim të paqes”.

“Ju faleminderit shumë. Faleminderit”, tha Trump, ndërsa gazetarët sërish u drejtuan me pyetje, të cilave dy presidentët nuk iu përgjigjën.

Ndërkaq gjatë fluturimit për në Alaskë, Trump i tha Fox News se beson që takimi do të shkonte mirë.

“Do të doja të shihja një armëpushim. Nuk do të isha i lumtur nëse nuk do të ndodhte kjo, por të gjithë thonë se nuk do të arrish të marrësh një armëpushim. Kjo do të ndodhë në takimin e dytë. Takimi i dytë do të jetë i mrekullueshëm. Por, nuk do të jem i lumtur nëse ky takim nuk prodhon një armëpushim”, tha ai.

Ky ishte takimi i tyre i parë ballë për ballë që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. Dy udhëheqësit, megjithatë, gjatë kësaj periudhe, kishin zhvilluar të paktën pesë biseda.