Takimi me Trump në Vatikan, Zelensky: Mund të bëhet historik

Funerali i Papa Françeskut bëri bashkë kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dhe presidentin e Ukrainës Volodimir Zelensky. Siç duket edhe në këto foto që kanë bërë xhiron e botës, dy presidentët kanë qëndruar kokë më kokë për të paktën 15 minuta. Pas takimit kreu i shtetit ukrainas shkroi në rrjetet sociale se takimi kishte qenë i mirë.
“Takim i mirë. Diskutuam shumë gjëra ballë për ballë. Shpresojmë për rezultate në gjithçka që trajtuam. Mbrojtje e jetëve të popullit tonë. Armëpushim i plotë dhe pa kushte. Paqe e besueshme dhe e qëndrueshme që do të parandalojë shpërthimin e një lufte tjetër. Takim shumë simbolik që ka potencial të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta. Faleminderit President”, shprehet Presidenti Zelensky.
Ndërsa Trump, përpara largimit nga Roma kritikoi në rrjetin e tij “Truth” mënyrën si po sillet Vladimir Putin madje duke paralajmëruar edhe sanksione për të.
“Nuk kishte asnjë arsye që Putini të qëllonte me raketa në zona civile, qytete dhe qyteza, gjatë ditëve të fundit. Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalojë luftën”, thotë Presidenti Trump. /klantv