75 Mall Live Search
12:30 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / H F

Takimi Osmani–Rama: Thellohet bashkëpunimi vëllazëror dhe koordinimi ndërkombëtar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale.

Në fokus të takimit ishin, para së gjithash, koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si edhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.

Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.

Displaying Presidentja Osmani priti në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama-3.jpg

Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani përgëzoi kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

Në përmbyllje të takimit, kryeministri Rama e uroi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.