19:55 / E Diele, 23 Maj 2021 / AR

Takimi sekret në Orllan, Abdixhiku tenton ta bashkon LDK-në e Podujevës duke mbështetur një kandidat

Indeksonline mëson se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të partisë ditë më parë në Orllan të Podujevës kanë mbajtur një takim me qëllim për pajtimin përkatësisht unifikimin e LDK-së në Llap.

Pjesëmarrës në takim kanë qenë: Lumir Abdixhiku, Agim Veliu, Ekrem Hyseni, Vezir Januzi, Nexhmi Rudari, Mirsad Kamerolli, Fidan Rekaliu. Burime të Indeksonline thonë se Abdixhiku në cilësinë e kryetarit të partisë fillimisht ka elaboruar situatën në vend, me theks të veçantë gjendjen e LDK-së.

Takimi është karakterizuar me replika për zgjedhjet e fundit nacionale, ku janë shfaqur dhe akuza për disa deputetë, është përmendur vjedhja e votave në mes vete, moskoordinimi në zgjedhje etj.

Më pas Abdixhiku ka hapur debatin për emërimin e kandidatit për kryetar të komunës së Podujevës, duke kërkuar që të punohet se bashku të unifikuar për ta rikthyer pushtetin në tetor 2021. Ekrem Hyseni si kandidat për zgjedhjet komunale në Podujevë ka marë mbështetjen e kryetarit të partisë. Pastaj Ekrem Hyseni duke kërkuar fjalën ka thënë: “unë për disa arsye personale dhe se kam angazhime jashtë vendit mendoj se ka emra të tjerë për kandidat”.

Mirsad Kamerolli në fjalën e tij ka insistuar se Ekrem Hyseni duhet patjetër për të hyrë në garë për kryetar, sepse qytetarët po të kërkojnë dhe do ta ketë mbështetjen e te gjithë LDK-së pa rezervë.

Kryetari Abdixhiku ka pyet kush janë emra/kandidatë të tjerë. Ekrem Hyseni i është përgjigjur se ka emra plot, por ai nuk i njeh strukturat e LDK-së. Abdixhiku ka reaguar duke i thënë Ekrem Hysenit se: “nga këtu duhen të dalin emrat dhe se ti i nderuar ke marrë përgjegjësi, e duhet me hy në garë dhe të gjithë bashkë të mbështesim pa rezervë”. Abdixhiku i është drejtuar Agim Veliut duke i thënë se: “Agimi është i fjalës dhe kur të jep fjalën i qëndron dhe për këto dy takime që i kemi mbajtur vërtet po del që ju qëndron fjalëve”.

Abdixhiku ka pyetur Agim Veliun se a mundet LDK me u bë bashke e me e mbështet Ekrem Hysenin. Ndërsa, Agim Veliu është përgjigjur “po nëse gjejmë gjuhë të përbashkët, edhe pse ka plot që nuk pajtohen, por besoj që pas një marrëveshje që do ta arrijmë do të bëhemi bashkë të gjithë”.

Abdixhiku e ka pyetur Veliun: ”a mundesh në këto dy vite me leshu rrugë në degën e LDK-së në Podujevë dhe ta gjejmë një emër që i bashkon të gjitha grupet dhe të mbetet UD i kryetarit deri në zgjedhjet e rregullta të partisë”.  Veliu ka thënë: “gjithçka është në rregull me një pako te marrëveshjes”.

Abdixhiku ka kërkuar nga të pranishmit në takim nëse ka ndonjë emër konsesual që i bashkohen të gjithë. Ndërsa, Mirsad Kamerolli ka thënë: “mendimi im personal në këtë situatë është për emrin e Dr Vezir Januzit, pas të cilit mund t’i rreshtohen të gjitha grupet që po i quani ju si grupi i Agimit, grupi i Ekremit si dhe të tjerëve. Veziri është i pranueshëm te strukturat e LDK-së dhe i afërt me elektoratin”. 

Abdixhiku ka pyetur sërish nëse ka edhe ndonjë emër tjetër, duke thënë: “edhe pse për mua dy emrat janë të pranueshëm dhe nuk dolën propozime tjera”.  Pastaj Vezir Januzi, i cili ndër të tjera ka thënë: ”LDK ka figura, ka emra, por mua çdo detyrë që më jepet nga partia do ta kryej me nder dhe përgjegjësi të plot, e do të bashkëpunojmë të gjithë bashkë, që ta kthejmë pushtetin, sepse Podujeva ka qenë dhe do të mbetet bastion i LDK-së”.

Fjalën pastaj e ka marrë Ekrem Hyseni, i cili ka thënë: ”për mua Veziri është i pranueshëm dhe për çështjen e kryetarit të degës nuk kemi se çka të bisedojmë, është punë e mbyllur”.

Kryetari Abdixhiku në fund pas dakordimit të plot iu është drejtuar të pranishmëve me fjalët: “sot po dalim me në informatë pa foto rreth arritjes se kësaj marrëveshje dhe në këtë marrëveshje do të hyjnë edhe pozicionet tjera qeverisëse dhe garanci për këtë pako do të jem unë si kryetar i partisë”.

Ndërsa, Fidan Rekaliu ka kërkuar që t’i jepet kohë edhe një javë Ekrem Hysenit për konsulta me të tjerë./Indeksonline/