75 Mall Live Search
21:21 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / F.R

Takimi Trump-Netanyahu, ky është plani për paqe prej 21 pikash

Presidenti amerikan e ka prezantuar një plan për paqe prej 21 pikash, duke thënë se “njerëzve iu ka pëlqyer shumë” dhe e ka falënderuar Netanyahun që “është pajtuar” për të.

Ai ka thënë se plani është përpiluar në bashkëpunim me shumë shtete tjera dhe i ka falënderuar “liderët nga kombet arabe dhe myslimane” si dhe shumë aleatë në Evropë.

Trump ka thënë se nëse plani pranohet prej Hamasit, ai parasheh lirimin e të gjitha pengjeve.

Sipas Trumpit, shtetet arabe dhe ato myslimane janë të përkushtuara për të “çmilitarizuar Gazën” sa më shpejt.

Mes tjerash, Trumpi ka thënë se plani parasheh shkatërrimin e tuneleve dhe qendrave të prodhimit që i posedon Hamasi.

Aty përfshihet edhe trajnimi i forcave policore lokale dhe tërheqja e ushtrisë izraelite nga Gaza në disa faza.

Kërcënimi nga Hamasi do të “shkatërrohet”, ka thënë ai, duke shtuar se mbështet Netanyahun “për të bërë atë që duhet bërë”.

Mes tjerash, Trump ka thënë se shumë palestinezë dëshirojnë të jetojnë në paqe, por që duhet “të marrin përgjegjësi” për fatin e tyre.

“Palestinezët e kanë pasur një jetë të vështirë me Hamasin. Por nëse nuk pajtohen me këtë plan, ata nuk do të kenë kë ta fajësojnë përveç vetes”, ka thënë ai.

Sipas Trumpit, tani i takon Hamasit të pranojë këtë propozim “jashtëzakonisht të drejtë” dhe që detyra e ndërtimit të paqes nuk do të jetë e lehtë, mirëpo shumë jetë janë në rrezik dhe që duhet provuar.

Sa i përket zbatimit të planit, Trump ka thënë se ai do të ekzistojnë një “bordi i paqes” i cili do të mbikëqyret nga vetë ai.

Në të do të marrin pjesë edhe liderë tjerë shtetesh, përfshirë ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.