75 Mall Live Search
19:09 / E Diele, 09 Korrik 2023 / MSH

Takimi vjetor i NATO-s, Biden mbërrin në Evropë

Presidenti Biden do të shkojë sot në Britaninë e Madhe. Udhëheqësi amerikan do të takohet me Mbretin Charles dhe Kryeministrin Rishi Sunak. Lufta në Ukrainë do të jetë tema kryesore e bisedimeve në Londër ndërsa udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen në Lituani. Presidenti Biden do të pritet të hënën nga Kryeministri Sunak dhe më pas nga Mbreti Charles në Kështjellën Windsor.

Udhëheqësi amerikan dhe Kryeministri Sunak do të zhvillojnë bisedime për një gamë të gjerë çështjes. Lufta në Ukrainë do të jetë tema kryesore e bisedimeve të të dy udhëheqësve përpara se të marrin pjesë në takimin e NATO-s në Vilnius, ku do të flitet lidhur me aspiratat e Kievit për t’u anëtarësuar në aleancë.

Në vitin 2008 udhëheqësit e NATO-s thanë se Ukraina e ka vendin në aleancë, por nuk kanë përcaktuar një udhërrëfyes, pavarësisht thirrjeve të forta për anëtarësim nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

SHBA dhe Britania e Madhe janë ndër mbështetësit më të fortë perëndimorë të Kievit. Disa analistët thonë se Londra ka ndikuar tek Uashingtoni lidhur me mbështetjen ushtarake për Kievin, përfshirë dërgimin e tankeve dhe përpjekjet për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të modelit F-16.

Britania e Madhe nuk arriti të sigurojë mbështetjen e Uashingtonit për të zgjedhur Sekretarin e Mbrojtjes Ben Wallace në krye të NATO-s, ndërsa u zgjat me një vit mandati i Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Marrëdhëniet transatlantike janë tendosur vitet e fundit si rezultat i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, një akt që zoti Biden thotë se e ka dëmtuar Britaninë.

Për Kryeministrin Sunak, vizita e Presidentit Biden ofron një lehtësim të shkurtër nga problemet me të cilat përballet vendi i tij si rezultat i një ekonomie të dobët dhe polemikave brenda partisë së tij. Si zoti Biden ashtu edhe udhëheqësi britanik përballen me zgjedhje vitin që vjen./VOA/