75 Mall Live Search
18:31 / E Enjte, 10 Shkurt 2022 / MSH

Takohen agjencitë kosovare dhe shqiptare anti-korrupsion, diskutojnë për bashkëpunim

Avancimi i politikave në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe administrimi i procesit të deklarimit elektronik  të pasurisë, ishin temë dikstutimi mes Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj me Evgjeni Bashari, Inspektore e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në Shqipëri.

Në takimin e përbashkët, dy udhëheqësit e institucioneve, diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informatave për deklarimin elektronik të pasurisë dhe përvojën e Republikës së Shqipërisë përgjatë realizimit të këtij projekti.

Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj e informoi Inspektoren e Përgjithshme të ILDKPKI-së, Evgjeni Bashari me mandatin dhe fushëveprimin ligjor të AKK-së, ndërsa theksoi se Agjencia kundër Korrupsionit, aktualisht është në fazën e trajtimit të metodologjisë për deklarimin elektronik të pasurisë dhe se shkëmbimi i përvojave dhe informatave me ILDKPKI-në është i rëndësishëm për shmangjen e mangësive dhe evidentimin e vështirësive të mundshme që mund të dalin gjatë procesit.

Në takimin e përbashkët, dy udhëheqësit e institucioneve u dakortësuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në shkëmbimin e përvojave me interes për të dyja vendet në parandalimin dhe luftën kundër e korrupsionit.