19:24 / E Diele, 11 Gusht 2019 / indeksADMonline

Taksa ia ka humbur Serbisë rreth 280 milionë euro

Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiç, tha sot se që nga vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe, shteti serb ka humbur rreth 280 milionë euro.

Lajiç ka thënë për RTS se Serbia ka eksportuar në Kosovë rreth 280 milionë euro vlerë të mallrave më pak sesa vitin e kaluar.

“Kjo do të thotë që ne po dërgojmë 1 milion euro vlerë më pak mallra në Kosovë. Të gjithë harrojmë se kjo shifër krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur nuk ka pasur taksa ne kemi eksportuar mallra për tërë vitin me vlerë 440 milionë euro”, ka thënë Lajiç, transmeton Insajderi.

Sipas tij, vlerësohet se taksa mund t’i shkaktojë dëm edhe zhvillimit ekonomik në Serbi.

“Skenari më i keq është se ajo [taksa] mund të ketë një ndikim prej 0.8 pikë përqind në GDP-në tonë”, ka deklaruar Lajiç. “Por ne nuk besojmë se kjo do të ndodhë, sepse kjo nënkupton që asnjë nga bizneset që eksportojnë mallra në Kosovë, nuk gjejnë ndonjë treg alternativ”.

Qeveria e Kosovës, në muajin nëntor të vitit të kaluar vendosi taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Që prej atëherë, pavarësisht presionit ndërkombëtar, qeveria nuk është zmbrapsur nga vendimi.