Taksat doganore po e rrisin koston e porosive ndërkombëtare në Kosovë
Kostoja e produkteve të blera online jashtë Kosovës, që kushtojnë mbi 35 euro, shpesh dyfishohet ose edhe trefishohet për qytetarët. Kjo ndodh sepse ata duhet të paguajnë taksën doganore dhe TVSH-në, e cila llogaritet edhe mbi koston e transportit, pavarësisht nëse porosia vjen me aeroplan apo me transport tokësor. Zëdhënësi i Doganës…, Adriatik Stavileci, thotë se taksat janë të njëjta për të gjitha porositë, por, sipas tij, çmimi i taksës dallon varësisht nga kostoja e transportit.
“Fillimisht duhet të sqarojë se taksat që aplikohet në import janë të njëjta nuk kanë dallim, por nëse një produkt ka një vlerë prej 50 euro si produkt dhe vlera e transportit nga vendi i dërgesës është 15 apo 30 euro atëherë baza për kalkulimin e taksave bëhet vlera e produktit plus vlera e transportit. Vlera e produktit 50 euro plus vlera e transportit 10 euro si shembull mbërrin në 60 euro dhe këtu janë ato dallimet… Dogana nuk ka interes personal ka interes publik dhe aplikon taksa të njëtrajtshme, por, varësisht nga vlera e produktit apo transportit, i cili kryhet për atë produkt lëvizin edhe taksat që aplikohen në vlerë të produkteve…”, tha Stavilevci për rtv21.
Porositë online u shtuan gjatë pandemisë, tregon ish-drejtori i Doganës Lulzim Rafuna, tani kryetar i Odës Ekonomike. Rafuna thotë se sasia e mallrave ndikon në shtrenjtim të çmimeve
“Sipas statistikave tona 99% e porosive online janë nga qytetarët që blejnë me pakicë dhe natyrisht se ndikon shpenzimet e transportit dhe natyrisht është ligj në ekonominë e tregut të lirë, sepse sasia ndikon në çmim”, tha Rafuna.
Nëse qytetarët nuk e marrin porosinë në ditën kur ajo arrin në Kosovë, ata duhet të paguajnë edhe tarifë për qëndrimin e produktit në terminalet doganore. Ndërkohë, nga Dogana flasin për lirimet që përfitojnë qytetarët gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Evropë apo gjetiu. Megjithatë, Dogana arsyeton taksat aplikohen për produktet online për siç u tha mbrojtjen e tregut vendor.
“Tashti duhet të bëhet dallimi kur flasim për udhëtar, udhëtar nënkupton ai që bartë me vete mallra, ndërsa porositë online janë të natyrës komerciale dhe prape porositë nuk tatohen për mbi 35 euro, por ajo bëhet edhe për ta mbrojtur tregun vendor…”, tha Stavilevci.
Ndërkohë, vetë Bashkimi Evropian nuk ka taksë doganore për produktet që blihen brenda vendeve të BE-së, pavarësisht vlerës së tyre. Shtetet e BE-së aplikojnë vetëm TVSH, ndërsa taksa doganore për produktet që blihen jashtë BE-së aplikohen vetëm kur produkti kushton mbi 150 euro, limit ky shumë më i lartë se limiti në Kosovë.

