19:24 / E Diele, 12 Shtator 2021 / OSH

Talibanë thonë se vajzat do të studiojnë në universitete në klasa të ndara

Gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë në universitete, por do të jenë në klasa të ndara si dhe do të respektojnë kodin islamik të veshjes, kështu tha të dielën ministri i ri i Arsimit nga talibanët, Abdul Baqi Haqqani.

Ai deklaroi se Qeveria e re talibane do të të ndërtojë vendin nga ajo që ekziston sot dhe se nuk dëshirojnë të kthehen para 20 vjetëve kur ishin ata në pushtet herën e fundit.

Ministri tha se studentet do të kenë mentore gra si dhe do të mësojnë në klasa të ndara që janë në përputhje me ligjin islam të sheriatit.

“Falë Zotit kemi një numër të madh profesoreshave gra. Ne nuk do të përballemi me asnjë problem në këtë. Të gjitha përpjekjet do të bëhen për të gjetur dhe siguruar gra mësuese për nxënëse,” tha ai në një konferencë shtypi në Kabul.