14:34 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

“Tango”, drama që sjellë përjetimet e dy grave, nesër premierë në Teatrin Dodona

Nesër në orën 21:00 në Teatrin Dodona do të jepet premiera e shfaqjes “Tango” me autore Albana Mujën dhe regjisor Ekrem Sopin.

Përmes lojës së tyre, dy aktoret Anisa Ismajli dhe Rabije Rozi Kryeziu do të sjellin histori të ndryshme, rrëfime nga jeta e tyre, ku e gjithë ngjarja është e vendosur në një klinikë aspak të zakonshme.

Dramaturgia Muja për Indeksonline është shprehur e lumtur që është realizuar ky tekst, pasi që sipas saj këto përjetime do të duhej të dëgjoheshin prej kohësh,  të cilat do t’i bëjnë gratë të bashkëndjejnë e mbase edhe ta gjejnë vetën e tyre.

““Tango” paraqet dy gra (aktore) të dëshpëruara, të pa realizuara, ato tashmë ndodhën në një klinikë të pazakonshme, dhe aty rrëfejnë përvojat e tyre dhe barrierat që shoqëria ua ka servuar, duke mos i lënë te realizojnë vetën e tyre. Ato kanë profesionet dhe pasionet e tyre, por të izoluara dhe gjithçka kërkojnë është liria që dikur edhe mund ta marrin, por përvojat dhe përjetimet e tyre na mbesin si vulë!

Tango si vallëzim është i njohur për të veçantat e tij, personazhet në vallëzimin e tangos, kanë disa rregulla, ndonëse të provokuar në masë të madhe nga njëri tjetri, ata nuk kanë të drejt të kenë afërsi të madhe më shumë se që ua lejon Ioja. Në “Tangon tonë, kemi dy aktore, të cila mbase edhe do t’i thyejnë rregullat e “Tangos” “.

Muzikën e shfaqjes e ka kompozuar, Memli Kelmendi, ndërsa në fizarmonikë luan Shkumbin Miftari.

Për skenografinë është përkujdesur Bujar Selimi, fotograf Avni Selmani, e dizajner i dritave: Skender Latifi.

Ndryshe, repriza e parë e shfaqjes do të epet më 22.05.2019./Indeksonline/