Tani që bota po hesht, ekspertët mund të dëgjojnë murmurimat e tokës

Studiuesit grekë thonë se një rënie e papritur mbarëkombëtare e niveleve të zhurmës të krijuara nga njeriu prej bllokimit nga koronavirusi, u ka dhënë atyre njohuri të vlefshme për zhurmat më të vogla në thellësitë e tokës.
Greqia është përshkuar shpesh nga tërmetet, shumica nuk shkaktojnë dëme serioze. Një ulje e ndjeshme e niveleve të zhurmës pasi shteti vendosi një bllokim për shkak të koronavirus muajin e kaluar nuk ndikon në aktivitetin sizmik. Por ndërsa toka vazhdon të lëvizë, dridhje të përmasave shumë të ulta tani mund të regjistrohen, tha Efthimios Sokos, profesor i asociuar në Universitetin e Patras i cili drejton studimin me sizmologun Dimitris Yannopoulos dhe studiues në Observatorin Kombëtar të Athinës Christos Evangelidis.
“Eshtë qetësi,” i tha Sokos, Reuters, duke shtuar se ulja e zhurmës së krijuar nga njerëzit është vërejtur globalisht pasi shumë vende kanë imponuar një bllokim në përpjekjet për të frenuarpërhapjen e koronavirusit. “Deri më tani tërmetet në shkallë shumë të vogla ishin fshehur prapa asaj zhurme të shkaktuar nga njerëzit kurse tani ne mund t’i gjurmojmë ato më saktë.”
Ai krahasoi sizmologët me astronomët që nuk mund t’i shohin yjet nga qytetet për shkak të ndotjes së ajrit. “Por për ne, dukej sikur dritat qenë fikur,” tha ai.
Studiuesit në Belgjikë janë pionierë në këtë lloj studimi, tha Evangelidis, duke shtuar se Greqia deri më tani ka mbledhur të dhëna nga stacionet në Athinë dhe qytetin verior të Selanikut. Qytetet e tjera gradualisht janë përfshirë në studim, i cili pritet të përfundojë kur të të hiqet izolimi.
“Ne po mundohemi të punojmë … a është e mundur të zbulohen lëvizje të vogla sizmike të cilat më parë ishin fshehur pas zhurmës së krijuar nga njeriu?” tha Evangelidis.
Grekët deri më tani kanë qenë shumë të disiplinuar në zbatimin e kufizimeve të lëvizjes të urdhëruara nga autoritetet për të frenuar përhapjen e virusit. Deri në fund të së enjtes, Greqia pati 1,955 infeksione dhe 86 vdekje.
Zhurma e krijuar nga njeriu në qytetet greke zakonisht zbret në nivele të ulëta vetëm në mesin e gushtit, sezoni kulminant i verës kur grekët dynden në plazhe. Duke monitoruar nivelet e zhurmës, studiuesit gjithashtu se mund të shohin nëse ka zona që nuk respektojnë rreptësisht kufizimet, shtoi Evangelidis.
“Tani është njesoj si në mes të gushtit ose ndoshta edhe pak më ulët,” tha Evangelidis.