12:14 / E Premte, 18 Shtator 2020 / indeksADMonline

Targat KS dhe RFJ: Ministri Veliu shfuqizon vendimin e ish-ministrit Mustafa (Dokument)

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dje ka shfuqizuar vendimin e ish-ministrit Ekrem Mustafa, për lirimin nga taksat për regjistrimin e mjeteve me targa RKS apo KS, për pronarët e mjeteve që posedojnë targa të ish-RFJ-së.

IndeksOnline ka siguruar dokumentin ku ministri Veliu ka ndërprerë procedurat e regjistrimit të mjeteve me targa KS.

MPB-ja përmes një përgjigje elektronike për IndeksOnline kanë thënë se pronarët e mjeteve që posedojnë targa të ish RFJ-së pas datës 10 qershor 1999 deri më 14 Shtator 2016, e që i ka skaduar afati më datë 15.09.2020, iu është ndërprerë procedurat e regjistrimit.

“Referuar vendimit Nr.855/2020 të datës 17.09.2020 për shfuqizimin e Udhëzimit administrativ Nr. 02/2018 për Regjistrimin e Mjeteve me targa KS dhe Vendimit nr. 829/2019 të datës 17.09.2019 për lirimin nga taksat për regjistrimin e mjeteve me targa RKS dhe KS, për pronarët e mjeteve që posedojnë targa të ish RFJ-së apo të ngjashme, pas datës 10 qershor 1999 deri më 14 Shtator 2016, që i ka skaduar afati më datë 15.09.2020, është ndërprerë procedura e regjistrimit të mjeteve me targa KS”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, në njoftimin e MPB-së dje thuhet të gjithë pronarët e mjeteve që posedojnë targa KS me rastin e vazhdimit të regjistrimit të mjetit, obligohen që targat KS t’i ndërrojnë me targa RKS./IndeksOnline/