Tarifat e Trumpit prekin festat, rriten çmimet e artikujve me prejardhje kineze

Tarifat e Donald Trump kanë ndikuar edhe festën e Halloween. Çmimet e maskave dhe kostumeve këtë vit janë rritur ndjeshëm, teksa sasia e mallit ka rënë.
Shumica e kostumeve të Halloween të shitura në Shtetet e Bashkuara prodhohen në Kinë, Meksikë dhe vende të tjera që janë goditur nga tarifat e presidentit amerikan.
Pronari i një dyqani kostumesh në Kalifoni tha për Associated Press se klientët do të paguajnë 10 deri në 20 përqind më shumë për kostumet e importuara që kur tarifat hynë në fuqi. Megjithatë ai tha se nuk do të rrisë çmimet për mallrat e vjetra që i bleu para se të vendoseshin tarifat.
Të rinjtë apo prindërit e fëmijëve po heqin dorë nga gjëra që mund t’i pëlqejnë për shkak të çmimeve të kripura. Disa mendojnë të mos blejnë maska të reja këtë vit.
Trick or Treat Studios në Santa Cruz, Kaliforni, dizenjon dhe shet kostume dhe koleksione që prodhohen kryesisht në Kinë dhe Meksikë.
Kompania pret të paguajë më shumë se 1 milion dollarë në tarifa për të importuar produktet e saj këtë vit. Në maj, kompania pushoi nga puna 15 punonjës, ose 25% të fuqisë punëtore të saj, për shkak të tarifave.
Për shkak të kostos së lartë pritet të ketë mungesa edhe në furnizime, kështu qytetarët ndoshta nuk do të munden të gjejnë produktet e tyre të preferuara.
Halloween renditet si festa e katërt më e madhe për sa i përket shitjeve të përgjithshme, pas pushimeve dimërore, sezonit të kthimit në shkollë dhe Ditës së Nënës, duke gjeneruar të ardhura të mëdha në ekonomi.