Tatime shtesë për të pamartuarit/ A është ky vendimi më i pazakontë në Maqedoni të Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka dalë me një propozim të pazakontë për të frenuar rënien e popullsisë, Ai ka paralajmëruar vendosjen e tatimeve shtesë për personat që nuk janë të martuar dhe kjo ide po shqyrtohet seriozisht si një mënyrë për të nxitur të rinjtë të martohen dhe të kenë më shumë fëmijë.
“Këtu seriozisht mendojmë për vendosjen e tatimeve shtesë për të pamartuarit. Të nderuar, nuk ka asgjë më të shenjtë se jeta, dhe nuk ka asgjë më të trishtë nga ajo që sot shteti ynë ngadalë po zbrazet. Por gjithashtu, nuk ka asgjë më të guximshme sesa populli që zgjohet. Për këtë themi, koha është për të ardhmen, për shtetin ku do të lindin më tepër fëmijë. Këtë e kemi imperativ kryesor, më shumë të rinj të hyjnë në martesë dhe të lindin më tepër fëmijë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së.
Sipas kryeministrit, për shkak të gjendjes alarmuese, rritja e lindjeve është kthyer në prioritet kombëtar.
Sipas statistikave, në vitin 2024 kanë lindur 16.061 fëmijë dhe kanë vdekur 20.201 persona, që përbën një ulje natyrore prej 4.140 banorësh në një vit. Në 4 vitet e fundit, vendi ka humbur mbi 33.000 banorë.
Gjatë viteve të fundit RMV ka aplikuar një sërë masash për të stimuluar lindshmërinë. Politikat më konkrete kanë qenë ato të VMRO DPMNE-së, gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit i cili vendosi pagesa mujore për fëmijë të tretë dhe të katërt, për nëna të papuna të cilat kujdesen për fëmijët e tyre. Gjatë periudhës 2009–2018, pagesat mujore për fëmijën e tretë dhe të katërt ishin: 130 euro për fëmijën e tretë deri në moshën 10 vjeçare, dhe 183 euro mujore për fëmijën e katërt deri në moshën 14 vjeç.
Megjithatë, në vitin 2018 Qeveria i hoqi këto pagesa mujore duke i zëvendësuar me vetëm me një pagesë për të gjithë nënat pavarësisht statusit social, gjatë lindjes së fëmijëve, të cilat variojnë nga 80 euro për fëmijën e parë, 325 për fëmijën e dytë dhe 975 euro për fëmijën e tretë.