Taulant Dajaku jep dorëheqje si drejtor i Drenicës: S’dua të dëmtohet klubi

Taulant Dajaku, të dielën, në “Koha Shtesë”, deklaroi se ka lënë pozitën e tij si drejtor i klubit të futbollit kosovar, Drenica.
“Referimi ka qenë tendencioz, shihet edhe penalltia e paqenë në ndeshjen Drenica-Llapi (0-1), kurse gjyqtari, pa konsultimin e VAR-it, vendos për penallti, prej të cilës pësuam humbje.
Drenica ka dërguar ankesë për dy shkelje Administrative që kanë ndodhur në protokollin e ndeshjes dhe shkeljet që janë penalizuese për klubin e Llapit, andaj klubi që drejtohet nga Tahir Batatina besoj se do të hetohet, për shkak se i ndalohet të ketë më shumë se 6 lojtarë me nacionalitet të huaj, kurse Llapi ka 7. Ndeshja duhet të regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 për Drenicën.”
‘’Dorëheqja ime shpresoj do ta mundësojë Drenicën të mos jetë në kulm të vendimeve negative, ajo është në një pozitë shumë të mirë në këto momente, klubi ka një skuadër me 30 lojtarë, por me buxhet të përgjysmuar krahasuar me 2-3 vitet e fundit.
Aty janë 12 lojtarë nën moshën 20 vjeçare dhe në të ardhmen do të jenë të rëndësishëm. Andaj, e vetmja gjë që mund të bëja për Drenicën është të jepja dorëheqje pas ndeshjes me Llapin. Bordi drejtues ka pranuar dorëheqjen time dhe unë do të vazhdoj me një projekt tjetër, i cili do të jetë kombëtar, dhe besoj që në fillimin e marsit do ta prezantojmë.” tha Dajaku.