75 Mall Live Search
20:17 / E Hënë, 07 Dhjetor 2020 / Blerim

Taullai që u arrestua dje nga njësiti FAST Kosova, dyshohet për një ngjarje kriminale në Durrës

Indeksonline dje kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e ish-anëtarit të bandës së Durrësit, Indrit Taullai, në Kosovë.

I njëjti u arrestua njësiti FAST KOSOVA, me urdhër të SPAK pasi dyshohet se është përfshirë në një ngjarje kriminale në qytetin e Durrësit. Ndalimi i tij u bë pasi u shpall në kërkim nga Interpol Tirana, ndërsa aktualisht po mbahet në paraburgim në Prizren në pritje për vazhdimin e procedurave.

Zyrtarisht Policia e Shtetit në Shqipëri, nuk ka dhënë detaje nga arrestimi, pasi po vijojnë hetimet, por mësohet se Taullai është i dyshuar për një ngjarje kriminale në qytetin e Durrësit.

Pas arrestimit në një qendër tregtare, ai po mbahet në paraburgim në Prizren.

45-vjeçari kishte hyrë në Kosovë të shtunën në datën 5 Dhjetor, por një ditë më vonë u arrestua, menjëherë sapo Interpol Tirana dërgoi urdhrin për arrestimin e tij.

Indrit Taullai është një emër i njohur, pasi ka qenë i dënuar me 25 vite burg, por u lirua nga Gjykata e Lartë me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Banda Durrësit”, ku ai bënte pjesë ka nisur të veprojë në qytetin bregdetar prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, i cili gjithashtu është në liri me kusht, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve vijoi edhe në pranverën e vitit 2006, ku u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli, u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia.

Edhe ky i fundit përfitoi lirinë në vitin 2015.