Tavakoli: Qeveria e përkohshme me mbështetje të SHBA-së, jo për plan krimi
Pas përfundimit të fjalës përmbyllëse nga avokati Luka Mishetiq, avokatja tjetër e Thaçit, Nina Tavakoli, mohoi pretendimet që Qeveria e përkohshme u shfrytëzua nga të akuzuarit si instrument për realizimin e “një plani të përbashkët kriminal”.
Tavakoli përmendi faktin që kjo qeveri u krijua me mbështetjen e fuqive ndërkombëtare si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera. Ajo shtoi se ky pretendim do të mund të jetë real vetëm nëse thuhet se këto shtete përkrahën një plan të tillë kriminal.
“Kjo mbështetje ndërkombëtare ngre dyshime se ajo u krijua si shtysë për të ekzekutuar një plan të përbashkët kriminal nga të akuzuarit për të marrë nën kontroll Kosovën”, tha ajo.
Gjithashtu avokatja potencoi se në krijimin e kësaj qeverie morën pjesë disa parti politike dhe se nuk shihej thjesht si mekanizëm pushteti.
Tavakoli tha gjithashtu se Thaçi gjatë mandatit të tij si kryeministër nuk ka pasur pushtet për vendimmarrje.
“Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, tha ajo.
Në linjë me këtë deklaratë, ajo potencoi se ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan kishte deklaruar se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i Qeverisë së përkohshme.

