75 Mall Live Search
14:25 / E Premte, 27 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Të akuzuarit për krim të organizuar, dënohen me 11 vjet burgim

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, u ka vërtetuar dënimet më burgim të akuzuarve A.L., R.H., F.G., F.A., F.S dhe Z.B. Në këtë mënyrë, kjo gjykatë e ka lënë në fuqi, pjesshëm, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të 16.07.2019.

Sipas të cilit tre të akuzuarit  e parë ishin shpallur fajtorë për shkak të veprës penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale: “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikeve, substancave  psikotrope dhe analoge” dhe ishin gjykuar, A.L. dhe R.H më nga 11 vjet burgim, ndërsa i akuzuari F.G me 8 vjet burgim.

I akuzuari F.A, ishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikeve, substancave  psikotrope dhe analoge”  dhe ishte dënuar më 4 vjet burgim.

Ndërkaq të akuzuarit F.S. dhe Z.B  ishin shpallur fajtorë, secili për shkak të veprës penale: “Dhëne e ndihmës në kryerjen e veprës penale”, i pari më 2 vjet burgim,  ndërsa i dyti më 1 vit burgim.

Kolegji i Apelit e ka miratuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe sipas detyrës zyrtare, lidhur më dy të akuzuarit tjerë të këtij rasti G. A dhe L.N., dhe  çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Gjithashtu,  me miratimin e ankesës së prokurorisë, është konfiskuar automjeti BMW X 5,  të cilin e ka përdorur i akuzuari A.L. për kryerjen e veprës penale.

Kolegji i Apelit i ka miratuar pjesshëm edhe ankesat e mbrojtësve të pandehurve A.L., R.H. F.G. dhe F.A. ashtu që u është zbutur  dënimi dhe janë gjobitur.

Në çështje të tjera aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, ka ngelur i pa ndryshuar.