12:01 / E Mërkurë, 05 Qershor 2019 / indeksADMonline

Të dënuarit për terrorizëm, BE do ndihmojë në rehabilitimin e tyre

Bashkimi Evropian do të iu ofrojë ndihmë për rehabilitimin e personave të dënuar për terrorizëm.

Kjo do të realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i mëtutjeshëm i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues në Kosovë”.

Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, tha se në Kosovë edhe në raportin e progresit është theksuar se dënimet alternative nuk janë duke u përdorur në mënyrë të mjaftueshme.

Sipas tij, integrimi i personave të dënuar pas lirimit nga burgu është shumë me rëndësi.

“Ka njerëz që mendojnë se kur bëhet një krim dënimi duhet ta bëj personin të vuaj e jo ta riintegrojë atë në shoqëri. Ky projekt nuk është ushtrim akademik, por ka qëllim që t’i ndihmoj shërbimit sprovues në Kosovë dhe të punojnë në praktika më të mira që ta bëjnë shoqërinë kosovare më moderne. Raporti i Progresit ka rekomanduar që dënimet alternative akoma nuk janë duke u përdorur në mënyrë të mjaftueshme. Paraburgimi nuk është gjithnjë përgjigje. Tranzicioni nga kalimi i burgut në shoqëri është i rëndësishëm sidomos për të rinjtë sepse ata hasin gjithmonë vështirësi për tu rikthyer në shoqëri. Aspekt tjetër është numri i të burgosurve të radikalizuar. BE-ja do t’i përqendrojë përpjekjet te rehabilitimi i këtyre personave”, tha Brusa, përcjellë Indeksonline.

Kurse ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se masat dhe dënimet alternative do të zbatohen për shkak se, sipas tij, një ndër qëllimet e drejtësisë është edhe t’i bëjë qytetarët të reflektojnë pas ndëshkimit.

“Qëllimi i drejtësisë që synojmë përveç ndëshkimit të kryesve të veprave penale është që nga ballafaqimi me të qytetarët të reflektojnë dhe t’i kthehen shoqërisë për t’i respektuar normat sociale. Masat dhe dënimet alternative janë instrument që kanë pasur zhvillim në dekadat e fundit. Me norma ligjore kanë zënë vend edhe në Kosovë dhe ka qenë synim i imi që këtë trend të zbatimit ta forcojmë edhe në vendin tonë. Ka qenë agjendë që kjo të kthehet në agjendë të institucioneve të drejtësisë”.

Pjesë e këtij diskutimi, ishte edhe ambasadorja e Finladës, Pia Sternvall.

Ajo rekomandoj që të krijohen mundësi që dënimi për vepra të lehta penale të kryhet edhe në komunitet.

“Mendoj që ne duhet të provojmë të ndalim ciklin e veprave penale dhe t’i lejojmë kryesve të zhvillojnë dënimet e tyre në komunitet. Mund të gjejmë rast ku dy palët përfitojnë”.

Projekti “Fuqizimi i mëtutjeshëm i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues në Kosovë” në vlerë prej dy milionë euro financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Agjencia për Sanksione Penale e Finlandës. /Indeksonline/