Të dhënat e 24 orëve për Covid-19 në Shqipëri: 158 të infektuar, 2 të vdekur

Ministria e Shëndetësisë, me të dhënat e përftuara nga Instituti i Shëndetit Publik, nxori para pak çastesh përditësimin për 24 orët e kaluara mbi situatën e koronavirusit në Shqipëri. Noa.al saktësoi nga Ministria e Shëndetësisë se të dhënat i përkasin kohëzgjatjes 00.00 deri 24.00 të ditës së djeshme 18 gusht 2020.
Në këto 24 orë u kryen 864 tamponë në të gjithë vendin dhe prej tyre rezultuan 158 persona pozitivë. Noa.al konfirmoi nga MSh se pjesa më e madhe e personave që u është bërë dje tamponi, ishin me simptoma të dyshimta për Covid-19.
Ditën pararendëse u kryen 932 tamponë nga të cilët 155 rezultuan të infektuar, shifra më e lartë deri dje, që nga nisja e pandemisë.
Gjatë 24 orëve të fundit në dy spitalet Covid, Infektivi dhe Sanatoriumi, ndërruan jetë dy pacientë të infektuar me koronavirus.
Në këto dy spitale aktualisht gjenden 101 të shtruar me Covid-19. Prej tyre, 17 gjenden në terapi intensive, nga të cilët 4 të intubuar.
Ditën pararendëse ishin 95 pacientë, nga të cilët 12 në reanimacion e prej tyre, katër të intubuar.
Këto 24 orë që kaluan u konfirmua shërimi i 57 qytetarëve. Një ditë më herët ishin shëruar 55 qytetarë.
Informacioni i plotë zyrtar
COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 57 të shëruar, 158 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit
Dr. Marjeta Dervishi Instituti i Shëndetit Publik
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 864 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 158 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 81 raste në Tiranë, 10 raste në Shkodër, nga 9 raste në Durrës dhe Vlorë, 6 raste në Korçë, nga 5 raste në Krujë, Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz, 4 raste në Kurbin, 3 raste në Kolonjë, nga 2 raste në Mat dhe Klos, nga 1 rast në Kukës, Kavajë, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë, Prrenjas.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3928 , që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 101 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbime të specializuar dhe 27 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen dy qytetarë, një 60 vjeçar nga Tirana dhe një 62 vjeçar nga Shijaku me sëmundje bashkëshoqëruese. I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën thirrje qytetarëve: Shmangni grumbullimet masive në lokale, bare, dhe çdo lloj eventi apo ceremonie që rrezikon shëndetin tuaj dhe bëhet burim i shpërndarjes së infeksionit. Sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë; nga epidemiologët në terren, mjekët e familjes në të gjithë vendin që monitorojnë personat e prekur nga COVID19 dhe deri tek stafet në të dy spitalet COVID që po trajtohen pacientët e prekur apo të dyshuar me infeksionin Sars-Cov 2, ku po punohet pa reshtur në shërbim të çdo qytetari. Që kjo punë e ekipeve të sistemit shëndësor të vlejë dhe numri i të infektuarve të mos rritet, duhet që, të gjithë të bashkëpunojmë duke respektuar masat e këshilluara nga ekspertët; Ruani distancën fizike, lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet që prekni më shpesh dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm duke respektuar këto rregulla dhe duke u treguar të kujdesshëm në këtë normalitet të ri. Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 dhe keni shenja të sëmundjes, telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.
COVID-19 – Statistika (19 Gusht 2020) Testime totale 52724 Raste pozitive 7812 Raste të shëruara 3928 Raste Aktive 3650 Humbje jete 234 (Qarku Tiranë 116, Shkodër 34, Durrës 33, Fier 10, Elbasan 9, Korçë 9, Lezhë 6, Kukës 5, Vlorë 5, Dibër 3, Gjirokastër 3, Berat 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 1913 Durrës 469 Shkodër 294 Fier 170 Lezhë 156 Korçë 147 Vlorë 144 Kukës 113 Elbasan 103 Berat 59 Gjirokastër 43 Dibër 39