75 Mall Live Search
12:38 / E Premte, 13 Nëntor 2020 / k.v

Të dyshuarit e kërcënuan me armë punëtoren për t’ia marrë paratë, policia është në kërkim të grabitësve

Policia e Kosovës ka konfirmuar një tentativën e grabitjes së ndodhur para pak çasteve në një pikë të “MoneyGram”-it në kryeqytet, për të cilën IndeksOnline raportoi në kohë reale.

Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë, ka thënë se sot rreth orës 12:00, policia ka pranuar informatën për një tentativë grabitjeje në rrugën “UÇK”, në Prishtinë.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat policore për hetimin e krimit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Mbështetur në rezultatet e veprimeve të para hetimore dyshohet se të dyshuarit kanë tentuar të realizonin grabitjen, duke kërcënuar me armë një punëtore në një institucion mikrofinanciar”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa për IndeksOnlinen, pronari i lokalit ka thënë se dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hy në lokal dhe kanë kërkuar para, por nuk kanë gjetur dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policorë janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar./IndeksOnline/