Të dyshuarit nga “Syri i Popullit” edhe dy muaj në paraburgim
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për të dyshuarit Murat Jashari dhe Avni Llumnica, të dyshuar për sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi.
Këtë gjë e ka bërë të ditur për Indeksonline, avokati Naim Ruhari.
Rudari ka konfirmuar se tashmë kanë marrë vendimin dhe që sot do të dorëzojnë ankesën e tyre si palë mbrojtëse.
“Po kemi marrë vendimin dhe është vazhduar masa edhe për dy muaj. Ne sot do të dorëzojmë ankesën për arsye se paraburgimi parashihet të vazhdohet maksumim tetë muaj para se të ngritet aktakuza dhe mund të vazhdohet jashtë kësaj rregulle po qe se vonesat nuk janë për arsye të Prokurorit, e në këtë rast ne konsiderojmë se ankesa është ngritur për shkak të vonesave të prokurorisë”, ka thënë Rudari, shkruan Indeksonline.
Gjithashtu Rudari ka thënë se është bërë shkelje procedural në rastin e klientëve të tij.
“Përkundër gjithë asaj që ka shumë mospërputhje me vetë vendimin e Gjykatës.
Klienti im, Avni Llumnica ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e përfaqësuesve të lartë të Kosovës’ e që janë saktësisht në mënyrë eksplicite të sqaruar me ligj se kush janë përfaqësues të lartë shtetërore, e ndërsa flitet vetëm për avokatin Azem Vllasi”, ka shtuar Rudari.
Duhet shtuar se avokati Vllasi ishte plagosur në oborrin e zyrës së tij, përderisa të dyshuarit akuzohet të jenë pjesë e organizatës ‘Syri i Popullit’./Indeksonline/