75 Mall Live Search
17:30 / E Shtunë, 08 Nëntor 2025 / MSH

Të dyshuarit për vrasjen në Malishevë i caktohet masa e paraburgimit

Një muaj paraburgim është caktuar si masë për Astrit Isufajn, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës.

Isufaj dyshohet se vrau dy vëllezërit e bashkëshortes së tij, Naim dhe Driton Morina, të ejten e 6 nëntorit, shkruan IndeksOnline.

Pas arrestimit, ai u dërgua për trajtim në QKUK, pasi kishte pësuar lëndime trupore.

Dje gjatë ditës, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës u bë e ditur se është kërkuar nga Gjykata që Isufajt t’i përcaktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, Isufaj përveç se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ai po ashtu ka kryer edhe veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Mes të tjerash, në kërkesën e Prokurorisë të adresuar në Gjykatë thuhet:

“…Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc – Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M., e si shkak i  problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë  në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete, të nesërmen i pandehuri arrestohet”.