75 Mall Live Search
15:21 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / Blerim

Të enjten mbahet seanca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më 11 shkurt (e enjte) do mbahet konferenca e tretë në lidhje mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Nga njoftimi i publikuar nga Gjykata Speciale- Dhomat e Specializuara, bëhet e ditur se seanca do fillojë nga ora 11:00, thuhet në njoftim, transmeton Indeksonline.

Ecuria e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së procedurës dhe provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Pika “(1) Gjykatësi i procedurës paraprake mbledh një konferencë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore sa më shpejt që të jetë e mundur pas paraqitjes së parë të të akuzuarit dhe më pas nëse del e nevojshme për: (a) organizimin e shkëmbimeve midis palëve dhe, kur është e zbatueshme, të mbrojtësit të viktimave për të mundësuar përgatitje të shpejtë për gjykimin; (b) ndërmarrjen e hapave që mundësojnë çdo përgatitje të nevojshme prej palëve në mënyrë të zellshme dhe në kohë; dhe (c) rishikimin e ecurisë së çështje gjyqësores dhe që palëve, e kur është e zbatueshme mbrojtësit të viktimave, t’u jepet mundësia e ngritjes së problemeve në lidhje me çështjen gjyqësore”, thuhet në pikën e parë të rregullës së sipërpërmendur.

Pika “(2) Me pëlqimin me shkrim të të akuzuarit që jepet pas këshillimit me mbrojtësin e vet të specializuar, konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore në bazë të kësaj rregulle mund të mbahet: (a) në praninë e të akuzuarit dhe me pjesëmarrjen e mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës; (b) në praninë e mbrojtësit të specializuar dhe me pjesëmarrjen e të akuzuarit nëpërmjet videokonferencës; dhe (c) në mungesë të të akuzuarit me praninë e mbrojtësit të specializuar, ose pjesëmarrjes së mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës”, thuhet në pikën e dytë të Rregullores së procedurës dhe provave të DHSK-së./Indeksonline